Dy vendime të mençura të Federatës së Basketbollit të Kosovës!

Basketboll

Dy vendime të mençura të Federatës së Basketbollit të Kosovës!

Nga: Kemajl Goca Më: 12 shkurt 2019 Në ora: 11:34
Ilustrim

Sigurisht që dikujt iu ka dukur anormale apo çmenduri kur Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës, vendosi që Final 8 i Kupës së Kosovës në basketboll, të mbahet në Rahovec! E para, dyshohej se palestra mund të jetë e gatshme për finalet e mëdha, por gjithçka u rregullua fije e për pe dhe palestra është e gatshme qysh tani, duke heshtur edhe ata pesimistët apo që fërkonin duart në ndonjë dështim eventual. E dyta, dikush e sheh Rahovecin si një provincë dhe jo vend i përshtatshëm për zhvillimin e një ngjarje ashtu si i ka hije, pra finaleve të Kupës së Kosovës.  

Vendimi i bordit të FBK-së, me kryetarin e këtij asociacionit, Arben Fetahu, ka qenë sa i guximshëm aq edhe i qëlluar, sepse me një vendim të tillë zhvillon vlerat sportive aq më shumë edhe promovon basketbollin, në një qytet që tash e sa ditë po jeton me frymën e këtij sporti, ndër më atraktivët në vendin tonë. Rahoveci si asnjëherë me parë ka pasur nevojë për një reklamë të tillë, aq me tepër që ka një tifozeri që ditë e më shumë po dashurohet e mishërohet deri në pikën e fundit me lojën e basketbollit, në fakt po jetojnë me rezultatet impresive të ekipit të tyre, KB Rahovecit, aktualisht renditet në vend të tretë me 30 pikë, një ekip që me plotë të drejtë synon jo vetëm Kupën por edhe titullin e kampionit, ani se Z Mobile Prishtina është favorite e madhe, por jo gjithmonë buzëqesh favoriti në fund!

Ky ishte një nga vendimet më të rëndësishme, me të guximshme të bordit të FBK-së së bashku me Fetahun, një ish basketbollist, që e kupton në thelb apo në shpirt konceptin, se çka do të thotë të jesh organizator i një gare të madhe, e sidomos për një qytezë që për herë të parë i ndërtohet palestra me mëse 2000 ulëse, deshëm apo nuk deshëm e pranuam apo s’e pranuam, 27 shkurti deri me 3 mars, do të jetë dasmë e basketbollit, një panoramë fantastike për vet qytezën!  Vendimi i Bordit të FBK-së, pa dyshim se është një vendim për kompliment, ku ka ngritur në këmbë një qytezë, të jetojnë e të flasin kudo për këtë ngjarje madhështore. Vendimi i dytë shumë i mençur apo i menduar mirë, që e bën edhe me të zjarrtë aktivitetin e Kupës, gjithsesi është vendimi që të luhet edhe ndeshja për vend të tretë përkatësisht të luftohet edhe për medaljen e bronztë! 

Image

Palestra në Rahovec

Ky është edhe një vendim i qëlluar dhe që realisht motivon edhe më shumë ekipet që nuk janë në finalen e madhe, por i fut në “zjarr” edhe për të luftuar për medaljen e bronztë. Prandaj, dy vendime me shumë zgjuarsi apo mund ta quajmë të mençura në kohën e duhur, për faktin se e kultivojnë frymën e një sportit, që gëzon reputacion në vendin tonë, në një qytezë që ka pasur shumë vuajtje në mungesë të palestrës. Dhe sot Rahoveci ka palestrën me rreth 2 mijë ulëse, një ambient fantastik dhe që ka të gjitha parakushtet sipas standardeve, për zhvillimin e një finale të përmasave të mëdha, që sigurisht edhe palestra do të vlojë nga numri i madh i tifozëve!  Krejt në fund, Rahoveci është në pritje të finaleve të mëdha qoftë te femrat qoftë të meshkujt, është në pritje të një festë apo te një dasme të basketbollit!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat