Kosova të hënën nis përgatitjet kundër Rumanisë

Basketboll

Kosova të hënën nis përgatitjet kundër Rumanisë

Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 14:43
Kosova të hënën nis përgatitjet kundër Rumanisë

Kombëtarja e Kosovës do të grumbullohet nga 18 shkurti (e hënë) në mënyrë që të përgatitet sa më mirë për duelin me Rumaninë që do të zhvillohet më 24 shkurt në ora 20:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë në kuadër të parakualifikimeve për Eurobasket 2021.

Drejtori i Kombëtares së Kosovës, Granit Rugova ka bërë të ditur se gjithçka është gati për ti pritur basketbollistët të hënën në Prishtinë, ku Përfaqësuesja do të jetë e vendosur në hotel “Afa” deri në ditën e zhvillimit të ndeshjes.

Stërvitjet do të zhvillohen në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, prej 18 deri më 23 shkurt prej orës 10:00-12:00 dhe prej 19:00-21:00.

Rugova ka thënë se në bashkëpunim me përzgjedhësin e Kosovës, Damir Mulaomeroviq janë munduar të grumbullojnë ekipin më të mirë të mundshëm aktualisht, duke marr parasysh se disa lojtarë kyç si Gëzim Morina e Scott Bamforth janë duke u rikuperuar nga lëndimet, dhe se nuk do të mund të bashkohen me Përfaqësuesen.

Sidoqoftë Rugova ka theksuar se të gjithë në FBK, por edhe vetë përzgjedhësi Mulaomerovic janë optimistë se do të përgatiten sa më mirë në mënyrë që në përballje me Rumaninë të shënojnë fitore, e cila do të ishte motivuese para fazës së fundit të parakualifikimeve për Eurobasket 2021 që do të luhet në muajin gusht.

Kosova bën gara në Grupin B dhe në tri duelet e para ka pësuar disfata, dy herë nga Maqedonia dhe një herë nga Rumania, ndërsa e ka edhe një shans në muajin gusht për ta siguruar një vend për në kualifikime për Eurobasket 2021.

Pra, Maqedonia i prin grupit me 6 pikë, ku nga tri ndeshje ka po aq fitore, kurse Rumania dhe Kosova i kanë nga tri pikë secila, përderisa rumunët i kanë luajtur dy ndeshje deri më tani, dhe dy të tjerat do ti luajnë në muajin shkurt, së pari kundër Maqedonisë dhe më pas kundër Kosovës. Fituesi i grupit do ta siguroj një vend direkt për në kualifikime për Eurobasket 2021.

Raundi shtesë i parakualifikimeve për Eurobasket 2021 do të zhvillohet prej 3 deri më 21 gusht, ndërsa emrat e kundërshtarëve Kosova do t’i mësojë në shkurt pas ndeshjes kundër Rumanisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat