Ylli kualifikohet në gjysmëfinale, sfidohet nga kryeqytetasit

Basketboll

Ylli kualifikohet në gjysmëfinale, sfidohet nga kryeqytetasit

Nga: Kemajl Goca Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 18:26
Pamje nga ndeshja

Golden Eagle Ylli nga Theranda pa vështirësi kualifikohet në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës në basketboll (meshkujt). Therandasit dominuan takimin dhe triumfuan me rezultat bindës 103:82 (23:18, 22:22, 34:12, 24:32) ndaj skuadrës së rangut më të ultë, Feronikelit nga Drenasi, në takimin që u zhvillua në palestrën sportive “Mizahir Isma” në Rahovec.

E veçanta ka qenë se skuadra nga Drenasi ka rezistuar jashtëzakonisht mirë në 20 minutat e parë, duke e djersitur goxha shumë Yllin. Ekipi therandas do të ketë punë shumë të vështirë në përballje me Z Mobile Prishtinën, në gjysmëfinalen e cila luhet nesër në orën 16.30.

Në çerekun e parë, therandasit patën shumë vështirësi, megjithatë udhëhoqën me pesë pikë dallim (23:18). Në çerekun e dytë u zhvillua luftë mjaft e fortë mes dy skuadrave dhe rezultati në semafor shënonte 45:38 në minutën e 20-të në favor të therandasve.

Një epërsi aspak e lartë për therandasit dhe në anën tjetër dukej se do të jetë një motiv shtesë për ekipin nga Drenasi. Në çerekun e tretë ndryshuan raportet në fushë, Ylli shumë më ofensivë dhe më efikas, duke e rritur epërsinë e siguruar vetes edhe qetësinë në minutat e fundit. Feronikelit i mungonte përvoja dhe kjo ndikoi që mos të arrijmë më shumë. Në minutën e 30-të, rezultat 79:50 në të mirë të Yllit, epërsi e paarritshme në 10 minutat e fundit.

Epërsia prej 29 pikëve kishte krijuar një komoditet të madh te Ylli, që çerekut të fundit t’i qaset me shumë qetësi dhe për të festuar në fitoren me rezultat 103:82. Feronikeli me gjithë humbjen dhe eliminimin nga Kupa, la përshtypje të mirë, nuk u korit me lojë, sidomos në 20 minutat e parë ka qenë kockë e fortë për skuadrën që garon në elitë. Basketbollisti Alban Veseli ka qenë më efikasi, me 21 pikë të shënuara, i ndihmuar nga Clayton Everet me 18, Romelo Banks 17, Garruius Holloman 15. Këta ishin më efikasit të Ylli dhe më të merituarit që u kualifikuan. Arti Hajdari shënoi 32 pikë, por nuk mjaftuan për rezultat pozitiv për Feronikelin.

Duhet theksuar se Feronikeli luajti shumë mirë në çerekun e fundit (24:32), që e kishte në favor të vetit, por ka qenë e pamundshme që të përmbyset ai rezultat i thellë i Yllit, që ka ekip shumë më të mirë. Duhet theksuar, të dielën në Kuvendin Komunal në Rahovec, Federata e Basketbollit të Kosovës me fillim nga ora 11:00 do të mbaj Kuvendin e Punës, ku kryetari i FBK-së do të raportoj në emër të Bordit para delegatëve të Kuvendit.

Ylli-Feronikeli 103:82

Palestra sportive “Mizahir Isma” në Rahovec.

Shikues: 400.

Gjyqtarë: Anko Gracin, Ngadhnjim Shabani, Andrej Zlatevski.

Golden Eagle Ylli: Kuqi 12, Everet 18, Mekaj 14, Veseli 21, Banks 17, Holloman 15, A. Gashi 6, A. Shala, D. Shala dhe F. Gashi.

Feronikeli: Kovaqi 7, Merovci 6, Janjeva 6, Hajdari 32, Gattis 5, Muriq 2, Shala 4, Sholla 3, Hajzeri 15, Polloshka 2 dhe Curri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat