Lajme të mira për trajnerët e basketbollit

Basketboll

Lajme të mira për trajnerët e basketbollit

Më: 12 mars 2019 Në ora: 15:26
Lajme të mira për trajnerët e basketbollit

Ish-basketbollisti nga Gjilani dhe tani në rolin e trajnerit, Gyltekin Selimi është pranuar në programin e shkollimit FECC (FIBA Europe Coaching Certificate) që do të zgjas dy vjet (2019-2021) dhe më pas i njëjti  ka mundësi edhe të certifikohet nga FIBA si trajner.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur nëpërmjet një shkrese zyrtare drejtuar Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Michael Schwarz, shef i Departamentit të Trajnerëvë në FIBA Evropë.

Selimi që do të vijojë programin e FECC-së, 2019-2021 do të ketë mundësi të ndjek ligjëratat gjatë zhvillimit të Kampionateve Evropiane të U-16, U-18 dhe U-20, por njëkohësisht do të ketë edhe detyra të tjera që do t’i kryej gjatë punës në klubin e tij.

Federata e Basketbollit të Kosovës krahas Gyltekin Selimit e ka paraqitur edhe Driton Rracin (basketbollist aktiv në KB Vëllaznimi dhe trajner i grupmoshave të reja). Rraci është në listën e pritjes pasi që sipas FIBA Evropës është rritur dukshëm interesimi nga Federatat Nacionale për të marr pjesë në këtë program të shkollimit, andaj edhe numri për një Federatë Nacionale është zvogëluar nga 2 në 1 trajner.

Gyltekin Selimi aktualisht është trajner i KB Lipjanit, kurse në vitin e kaluar ka qenë ndihmëstrajner i Përfaqësueses U18 të Kosovës, e cila ka triumfuar në Divizionin C për të luajtur nga ky vit në një rang më të fortë, në Divizionin B. Ai po ashtu ka qenë pjesë e programit për Zhvillim të Gjeneratave të Reja të FIBA Evropës, ku ka qenë trajner i grupmoshës U14.

Në programin e FECC-së të periudhës, 2015-2017 nga Kosova janë certifikuar tre trajnerë e ata janë Dritëro Sefaja, Edon Godeni dhe Petrit Zeqiri, kurse këtë verë pritet të certifikohen edhe Ilir Selmani dhe Ismet Ferati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat