Spurs mposhtin kampionët e NBA

Basketboll

Spurs mposhtin kampionët e NBA

Më: 19 mars 2019 Në ora: 12:18
Ilustrim

Takimi kryesor i mbrëmjes në NBA ishte ai në mes të San Antonio Spurs dhe Golden State Warriors.

Skuadra vendase arriti të triumfonte 111-105 duke u ngjitur në vendin e pestë të Konferencës së Perëndimit.

Warriors, nuk i mjaftuan 25 pikët e Steph Curryt dhe 24 të tjera të Kevin Durant. Ishin Spurs ata që e menaxhuan më së miri ndeshjen, falë lojës së DeMar DeRozan, që rezultoi më i miri mbi parket me 26 pikë.

Pas kësaj humbjeje, kampionët në fuqi të NBA bashkëkryesojnë me të njëjtin numër fitoresh dhe disfatash me Denver Nuggets.

Një tjetër përballje shumë e rëndësishme ishte ajo e TD Garden mes Boston Celtics dhe pikërisht Denver Nuggets, që u mbyll me fitoren 105-114 të skuadrës mysafire.

Një sfidë e barabartë deri në çerekun e katërt, ku 6 minuta para fundit diferencën e bëri me tri gjuajtje të sakta për tre pikë Nikola Jokiç, që realizoi në total 21 pikë.

Për Celtics nuk mjaftoi paraqitja e mirë e Kyrie Irving, që shënoi në 30 pikë.

Fitore e lehtë në Lindje e Toronto Raptors 128-98 ndaj New York Nicks. Skuadra kanadeze e pati si shëtitje këtë përballje, madje edhe pa dy yje në përbërje, si Kawhi Leonard dhe Serge Ibaka.

Oklahoma City Thunder, pa Russell Westbrook, që ishte i suspenduar, humbën në shtëpi përballë Miami Heat me rezultatin 106-117.

Skuadra nga Florida ruan vendin e tetë në Lindje falë lojtarëve të stolit të rezervave, që në këtë përballje realizuan më shumë pikë se pesëshja startuese.

25 pikë për Dwyane Wade, ndërsa Goran Dragiq shtoi 26 pikë të tjera dhe 11 asistime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat