Tërhiqet legjenda

Basketboll

Tërhiqet legjenda

Më: 10 prill 2019 Në ora: 15:43
Dirk Nowitzki

Basketbollisti gjerman Dirk Nowitzki ka zyrtarizuar sot tërheqjen e tij nga sporti. Ylli i NBA-së, pas 21 sezonesh në NBA, të gjitha me fanellën e Dallas Mavericks, ka folur sot për publikun e tij pas ndeshjes që ekipi i tij fitoi ndaj Phoenix me reuzltatin 120-109. Në këtë ndeshje, shtatlarti gjerman realizoi 30 pikë.

“Kjo ishte ndeshja ime e fundit para publikut tim. Më vjen keq që po largohem, jam shumë i emocionuar, por jam i lumtur që kam veshur këtë fanellë dhe kam luajtur këtu”, u shprej Nowitzki, 40 vjeç i emocionuar dhe përlotur.

Në karrierën e tij ai ka fituar një titull kampion në NBA (2011). Po atë vit ai fitoi edhe trofeun MVP të finaleve. Në vitin 2007 ka fituar çmimin MVP të sezonit të rregullt.

Nowitzki ka marrë pjesë 14 herë në finalen e madhe të “All Star Game”. Ai mban gjithashtu edhe disa rekorde, si lojtari që ka luajtur më shumë ndeshje me fanellën e Dallas Mavericks dhe është pikëshënuesi më i mirë jo-amerikan në historinë e NBA-së.

Ai është basketbollisti i vetëm në historinë e NBA-së që ka luajtur me të njëjtën fanellë (Dallas) dhe të njëjtin numër (41) gjatë gjithë karrierës. Një legjendë. Duartrokitjet për të në momentin e lamtumirës nuk kanë munguar, ku të gjithë janë çuar në këmbë për minuta të tëra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat