Mekaj: Tifozët 'Xhebrailat' janë motivimi ynë

Basketboll

Mekaj: Tifozët 'Xhebrailat' janë motivimi ynë

Nga: Kemajl Goca Më: 12 prill 2019 Në ora: 18:32
Leonard Mekaj

Golden Eagle Ylli nga Theranda e ka të siguruar pozitën e dytë në Superligën e Kosovës dhe tani tërë fokusin e ka për ndeshjet e play-off-it në luftë për titullin e kampionit. Basketbollisti i Golden Eagle Yllit, Leonard Mekaj, njëherësh anëtar i kombëtares së Kosovës, shprehet se është një atmosferë jashtëzakonisht e mirë në klub dhe me synime që të janë në finalen e play-off-it.  

Klub që ka një shikueshmëri të mirë, sidomos përkrahje të madhe nga “Xhebrailat”, që janë edhe motiv shtesë për basketbollistët e Yllit. Mekaj tha se ka qenë një edicion i mirë, me rivalitet dhe me rritje të nivelit të lojës. Z Mobile Prishtina kryeson renditjen me 54 pikë, pasojnë Ylli me 46, Rahoveci 44, Bashkimi me 41 pikë etj. Mekaj tha se kanë realizuar parashikimet deri e tash.  
“Bota sot”: Golden Eagle Ylli lufton për titullin e kampionit, si e sheh në fazën e play-off-it, një Yll më të fortë?
Leonard Mekaj:
Ne kemi pas një vit të suksesshëm, pra jemi renditur në vendin e 2-të, në play-off tash kemi edhe 2 javë që të përgatitemi sa me shumë fizikisht dhe të kemi paraqitje sa më të mira në gjysmëfinale dhe synimi ynë si klub normalisht është finalja e play-off-it.
“Bota sot”: A mendoni se keni tejkaluar parashikimet apo keni pritur edhe me tepër?
Leonard Mekaj:
Jo, jemi fiks në parashikimet tona, pra ne kemi menduar të jemi në vendin e dytë që në fillim të sezonit.
“Bota sot”: A mendoni se ka qenë një kampionat me rivalitet dhe me një cilësi?
Leonard Mekaj:
Kampionati i sivjetshëm definitivisht ka qenë më i mirë se i vitit të kaluar dhe me një cilësi më të mirë.
“Bota sot”: Harta e katërshes së parë ndryshon, kemi Z Mobile Prishtinën, por jo edhe Trepçën në play-off. A është një kthesë tjetër e basketbollit, që më nuk ka ekipe favorite qysh në fillim të kampionatit?
Leonard Mekaj:
Po, do të thotë se me hyrjen e Ponte Prizrenit në Superligë është rritur numri i ekipeve të mira, atëherë kemi pasur vetëm Pejën dhe Prishtinën të cilat kanë qenë favorite bindshëm me të forta, kurse tani janë 6 ekipe të cilat mund ta mposhtin njëra- tjetrën dhe e kanë bërë gjatë sezonit. Si dhe po ashtu ngritja e nivelit të ekipit tonë e ka bërë më interesant, Ylli është krejtësisht ekip tjetër në krahasim me sezonat e tjera. Me meritori për këtë është trajneri Arben Krasniqi dhe puna që po bënë dhe qasja e lojtarëve në stërvitje është për t’u lavdëruar, gjatë tërë vitit është punuar intensivisht.
“Bota sot”: Çfarë iu premton tifozëve 'Xhebrailave'?
Leonard Mekaj:
Së pari i thërras që në play-off të vijnë në numër sa më të madh sepse janë motivimi kryesorë i yni dhe kanë qenë gjatë tërë sezonit, si dhe natyrisht se ne nuk do ta kursejmë energjinë dhe mundin tonë për rezultate pozitive.
“Bota sot”:  A mendoni se Golden Eagle do të jetë rivali më i vështirë për Prishtinën?
Leonard Mekaj:
Po, normalisht ne jemi rivali më i fortë për ta duke e llogaritë suksesin tonë si ekip dhe renditjen në tabelë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat