Të shtunën festë basketbolli me moton “Bashko Pjesën Tënde”

Basketboll

Të shtunën festë basketbolli me moton “Bashko Pjesën Tënde”

Më: 23 prill 2019 Në ora: 15:14
Të shtunën festë basketbolli me moton “Bashko Pjesën Tënde”

Sot në zyre të Federata së Basketbollit të Kosovës (FBK), kjo e fundit në bashkëpunim me organizatën “Autizmi Flet” kanë organizuar konferencë për media për ti shpalosur detajet e organizimit të aktivitetit të përbashkët kushtuar personave me autizëm me moton “Bashko Pjesën Tënde”.

Aktiviteti i FBK-së dhe organizatës “Autizmi Flet” do të mbahet më 27 prill (e shtunë) prej orës 12:00 deri në 14:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Të pranishme në konferencë ishin Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së, Violeta Hyseni, Drejtoreshë e OJQ-së “Autizmi Flet”-Kosovë dhe Sara Habibaj, anëtare e Bordit Profesional të kësaj organizate.

Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së, tha: “Për Federatën e Basketbollit të Kosovës është kënaqësi të jetë bashkëorganizatore e një aktiviteti kushtuar personave me autizëm. Kjo është hera e parë që po organizojmë diçka të tillë dhe besoj që nuk do të jetë e fundit. Kur e kemi marr kërkesën nga organizata ‘Autizmi Flet’ ne nuk hezituar për asnjë moment që të kontribuojmë për ta festuar në mënyrën më të mirë të mundshme muajin prill, e që është edhe muaji për personat me autizëm.

Andaj në kuadër të këtij aktiviteti ne kemi paraparë që Kosova U16 ta zhvilloj një ndeshje miqësore me ekipin e basketbollit të kësaj gjenerate të Qendrës Social-Edukative "Don Bosko" – Prishtinë.

Ftoj të gjithë adhuruesit e sportit që të shtunën në ora 12:00 të jenë të pranishëm në palestrën në Pallatin e Rinisë në mënyrë që sa më shumë t’u japim përkrahje personave me autizëm dhe kështu ta përmbyllim muajin prill, muajin e autizmit me një festë basketbolli”.

Violeta Hyseni, Drejtoreshë e OJQ-së “Autizmi Flet”-Kosovë, thotë: “Jemi shumë të lumtur që po e organizojmë një aktivitet të basketbollit për personat me autizëm, andaj para ndeshjes Kosova U16 – Don Bosko U1ne 6 kemi paraparë që ta zhvillojmë një ndeshje për fëmijët me autizëm. E falënderojmë Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe Qendrën Social-Edukative "Don Bosko" – Prishtinë për bashkëpunimin, si dhe Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prishtinës që na ka bërë të mundur që ti organizojmë shkollat fillore të Prishtinës që në mënyrë të organizuar të vijnë për ta përcjell këtë aktivitet të shtunën.

Bileta për këtë aktivitet është 1 (një) Euro dhe të hollat që do të grumbullohen do t’ju dedikohen rasteve sociale me autizëm e që në organizatën tonë janë gjithsej 10.

Me këtë aktivitet ne duam që bashkërisht ta sensibilizojmë opinionin në përkrahje të personave me autizëm dhe për këtë arsye u bëjë thirrje të gjithëve që në numër sa më të madh të jenë të pranishëm më 27 prill në ora 12:00 në palestrën në Pallatin e Rinisë, sepse fëmijët dhe personat me autizëm kanë nevojë për përkrahjen e të gjithë neve”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat