Rahoveci fiton ndaj Yllit në “13 Qershori”

Basketboll

Rahoveci fiton ndaj Yllit në “13 Qershori”

Më: 23 prill 2019 Në ora: 22:07
Rahoveci

Rahoveci ka fituar në udhëtim te Golden Eagle Ylli me rezultat 96:93 në ndeshjen e parë të serisë gjysmëfinale të play-off-it në Superligën e Kosovës në basketboll.

Në një atmosferë shumë të mirë në palestrën “13 Qershori”, ndeshja u përshkua me rivalitet të madh, ashtu siç ishin të gjitha përballjet e këtij edicioni ndërmjet këtyre dy skuadrave.

Vendësit në pjesën më të madhe të lojës ishin në epërsi të lehtë, por në çerekun e katërt “Vreshtarët” u treguan më të mirë dhe këtë dhjetëminutësh e fituan me 9 pikë dallim (23:14) dhe në fund iu gëzuan fitores.

Fredrik Richardson me 25, Arian Qallaku me 22 dhe Deshon Minnis me 21 pikë ishin më efikasit te Rahoveci.

Garrius Holloman me 33 pikë ishte lider te Golden Eagle Ylli, skuadër tek e cila pikë dyshifrore patën edhe Clayton Everett (22) dhe Bamballe Osby (10), por që nuk mjaftuan për të shmangur humbjen nga skuadra me të cilën në pjesën më të madhe të kampionatit u luftua për pozitën e dytë.

Ndeshja e dytë e serisë gjysmëfinale zhvillohet të premten në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat