Prizreni në këmbë, sfidë emocionuese ku vendoset titulli

Basketboll

Prizreni në këmbë, sfidë emocionuese ku vendoset titulli

Më: 26 prill 2019 Në ora: 11:01
Pamje nga një ndeshje

Bashkimi nga Prizreni të shtunën me fillim nga ora 19:00 është nikoqir i Prishtinës në ndeshjen e pestë finale të play-offit në Ligën e Femrave, në të cilin takim do të përcaktohet edhe fituesi i titullit të kampionit në Ligën e Femrave për edicionin 2018/19.
Bashkimi pati shënuar fitore në duelin e parë të luajtur në Prizren, më pas Prishtina pati triumfuar si nikoqire, derisa bardhekaltrat kanë vazhduar me serinë e fitoreve edhe në duelin e tretë në Prizren, kurse në të katërtin ishin prizrenaset ato që shënuan fitore dhe kështu barazuan gjithçka, dhe në këtë mënyrë titulli i kampionit do të përcaktohet në palestrën “Sezai Surroi”.
Ashtu si edhe në katër ndeshjet e mëparshme edhe në këtë vendimtaren për titull pritet rivalitet i madh në parket nga ana e të dyja skuadrave.
Duhet theksuar se të katër ndeshjet finale të Ligës së Femrave kanë zgjuar interesim të madh tek shikuesit si në Prishtinë ashtu edhe në Prizren, derisa të shtunën në palestrën “Sezai Surroi” prizrenasit kanë premtuar numër të madh të shikuesve dhe spektakël që do të mbahet mend në basketbollin femëror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat