Hajdari: Edhe Drenasi flet me gjuhën e elitës së basketbollit!

Basketboll

Hajdari: Edhe Drenasi flet me gjuhën e elitës së basketbollit!

Nga: Kemajl Goca Më: 26 prill 2019 Në ora: 12:57
Arti Hajdari: Edhe Drenasi flet me gjuhën e elitës së basketbollit!

I madh dhe i vogël janë në festë të basketbollit në qytetin e Drenasit. Feronikeli është anëtar i ri i elitë së basketbollit të Kosovës në konkurrencën e meshkujve. “Edhe Drenasi flet me gjuhën e elitës së basketbollit të Kosovës”, kështu thotë Arti Hajdari, basketbollisti më i mirë i Feronikelit dhe me një mesatare prej 30 pikësh për ndeshje. Hajdari luan në pozitën 2, një luftarak i madh në parket, por ajo çka e veçon këtë djalosh të disiplinuar e shumë punëtor është saktësia qoftë për dy pikë qoftë për tri po ashtu edhe për gjuajtjet e lira.  

Është bërë një punë e madhe të ‘Nikli’ e cila u shpagua me titullin e kampionit në Ligën e parë dhe hyrjen në rangun më të lartë. Një sukses i madh për një klub simpatik, që ia shton shijen elitës. Të gjithë u angazhuan maksimalisht, e bënë një ekip të respektuar dhe në fund solli frytin e suksesit.  

Qyteti i Drenasit nuk e ka në elitë më vetëm futbollin por edhe basketbollin, po shndërrohet në një qytet sportiv. Hajdari është i ngazëllyer si për suksesin, si për kushtet që kanë, atmosferën e harmoninë brenda kolektivit, si dhe respektin që gëzojnë nga qytetarët e Drenasit. Ai shprehet se nuk do të jenë vetëm si vizitorë në elitë, por si një ekip që shumëkujt do t’i prishin planet.

“Bota sot”: Feronikeli, për herë të parë në histori në elitën e basketbollit, çfarë ndjenje është për qytetarët e Drenasit?

Arti Hajdari: Qyteti i Drenasit është shumë i dhënë mbas sportit, me hyrjen e KB Feronikelit në Superligë dhe është një histori për qytetin e Drenasit, ku edhe e meritojnë të kenë një vend në Superligë sepse janë shembull për një organizim shumë të mirë.

“Bota sot”: Sa ishte vështirë rruga për ta arritur qëllimin, hyrjen në elitë, sidomos në garat e play-off-it?

Arti Hajdari: Siç e dimë në vitet e mëparshme hyrja në Superligë ka qenë më e lehtë, këtë vit kanë pasur synime 4 ekipe dhe liga e parë asnjëherë s’ka qenë më e fortë se në këtë vit. Mirëpo organizimi i KB Feronikelit në krye me themeluesin Alban Veselin kanë arritur që të marrin në ekip lojtarët më cilësorë dhe në fund ky mund u shpagua me titullin e kampionit dhe hyrjen në Superligë.

“Bota sot”: A mendoni se Feronikeli do të jetë prej skuadrave më të organizuara në elitë dhe me shikueshmërinë më të madhe?

Arti Hajdari: Pa dyshim që KB Feronikeli do të jetë një ndër ekipet më të organizuara në Kosovë duke ju falënderuar edhe kryetarit të klubit zotëri Naser Ramaj i cili po bën shumë për sportin e Drenasit jo vetëm në basketboll por në përgjithësi. Besoj që nuk do të mungoj shikueshmëria në palestrën ‘Hysni Jetullahu’ në Drenas ku do të jetë një palestër e flaktë për çdo kundërshtar.

“Bota sot”: A keni besuar në fillim të edicionit se do të arrini një sukses me Feronikelin dhe çka e veçojë me shumë?

Arti Hajdari: Plani i mirë i klubit dhe synimi që patjetër të jetë në Superligë, pa dyshim që suksesi nuk ka qenë asnjëherë në dyshim duke e marr parasysh fondin e lojtarëve dhe organizimin e klubit në mënyrë perfekte, atëherë edhe mundi u shpagua në fund.

“Bota sot”: Çfarë premton Arti?

Arti Hajdari: Superligës ju ka shtua një ekip që do të kontribuoj shumë në basketbollin e Kosovës dhe përveç asaj edhe me lojëra të bukura dhe tifozeri të zjarrtë siç janë qytetarët e Drenasit.

“Bota sot”: Sa jeni i kënaqur me kushtet dhe atmosferën?

Arti Hajdari: Jam shumë i kënaqur me kushtet dhe atmosferën në ekip dhe me mikpritjen e qytetarëve të Drenasit, çdo gjë është fenomenale dhe shpresojmë që kështu të jetë gjithmonë dhe të kontribuoj për sportin e Drenasit në mënyrën më të mirë të mundshme dhe me lojëra sa me të mira.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat