Kosova u ballafaqua me Rusinë

Basketboll

Kosova u ballafaqua me Rusinë

Më: 22 qershor 2019 Në ora: 11:07
Kosova u ballafaqua me Rusinë

Basketbollistët e Kosovës U-20 (M) kanë zhvilluar ndeshjen e parë në turneun në Shkup, ku pësuan nga bashkëmoshatarët e tyre nga Rusia me rezultat 77:43.  

Faktikisht Kosova e nisi ndeshjen më mirë, duke udhëhequr 2:0, 4:2 e 6:4, por më pas rusët e morën lojën në duar, duke e fituar çerekun e parë me rezultat 23:13. Çereku i dytë ishte më i barabartë, por në fund edhe kjo periudhë i takoi Rusisë, 12:7, duke shkuar në pushim me rezultat 35:20. 

Edhe në periudhën e tretë rusët ishin më të mirë duke fituar me rezultat 24:11, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 59:31 për Rusinë. Edhe perioda e fundit i takoi Rusisë me rezultat 18:12, duke fituar në fund me rezultat 77:43. Dardan Kapiti dhe Erhan Sholla u dalluan te “Dardanët” me nga tetë pikë, derisa MaksimKarvanen ishte më i miri te Rusia me 16 pikë. Duhet cekur se Rusia dhe Mali i Zi janë favoritë në Kampionatin Evropian të Divizionit B, për të kaluar në atë A.  

Në ndeshjen hapëse të këtij turneu Mali i Zi ka triumfuar bindshëm ndaj Maqedonisë Veriore me rezultat 75:45.  

Të shtunën nga ora 18:00 zhvillohet përballja mes Maqedonisë Veriore dhe Kosovës, derisa takimi tjetër nga ora 20:15 është mes Rusisë dhe Malit të Zi.  

E diela është dita e fundit e turneut, ku Maqedonia Veriore ndeshet me Rusinë (18:00) dhe Kosova me Malin e Zi nga ora 20:15.  

Këto ndeshje miqësore do t’i ndihmojnë përzgjedhësit të Kosovës U-20, Ibrahim Karabegu për të parë formën e lojtarëve, eliminuar mangësitë dhe për të zgjedhur 12-shen më të mirë për Kampionatin Evropian, që mbahet në Portugali nga 12 deri më 21 korrik.  

Kosova është në Grupin C së bashku me Suedinë, Holandën, Gjeorgjinë, Estoninë dhe Armeninë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat