Një vit pa Gazmend Sinanin

Basketboll

Një vit pa Gazmend Sinanin

Më: 23 qershor 2019 Në ora: 11:12
Gazmend Sinani

Sot, më 23 qershor janë bërë 1 vit nga vdekja e basketbollistit të njohur, Gazmend Sinani.

Ai kishte humbur jetën në një aksident komunikacioni, derisa të lënduar kishin mbetur Fisnik e Granit Rugova, Altin Morina, si dhe fizioterapeuti Kujtim Shala. Sinani ishte i grumbulluar me Kosovën në përgatitjet për kualifikimet e Kupës së Botës “Kina 2019”. Dhimbja është e madhe për Sinanin, një basketbollist dhe person i shkëlqyer.

Gazmend Sinani ishte 27 vjeçar. Pasi kaloi grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja.

Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone. Më 2017/18 luajti në ligën elite në Angli. 

Sinani ishte anëtar i kombëtares së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA.

Me humbjen e tij, Kosova ka humbur një prej basketbollistëve më të mirë të gjeneratës, derisa kombëtarja ka humbur njërin prej basketbollistëve më të vlefshëm dhe më luftarak.

Angazhimi i tij gjatë përgatitjeve për ndeshjet e qershorit ka qenë inspirim dhe motivim për bashkëlojtarët, kurse qasja e tij profesionale dhe shpirti luftarak do të mbeten në kujtim të secilit adhurues të basketbollit.

Fanella e tij me numër 15 është pensionuar te Kosova dhe përveç Sinanit nuk do ta bartë askush më.

Të dielën (sot) drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës do të bëjnë homazhe dhe do të vendosin kurorë me lule te varri i Sinanit./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat