Ngjarje e paparë në Kosovë, 3x3Prishtina ‘bombardon kryeqytetin’! - Bota Sot
Ngjarje e paparë në Kosovë, 3x3Prishtina ‘bombardon kryeqytetin’!

Basketboll

Ngjarje e paparë në Kosovë, 3x3Prishtina ‘bombardon kryeqytetin’!

Nga: Kemajl Goca Më: 26 qershor 2019 Në ora: 16:15
Pamje nga atmosfera

Fundjava ka qenë dasmë e streetballit në kryeqytetin e Kosovës. Prishtina vlonte nga atmosfera e zjarrtë! Hapësira ka qenë e vogël në sheshin “Zahir Pajaziti” për ta pranuar gjithë at numër të madh të tifozëve, që u kënaqën me atmosferën brilante. 3x3Prishtina ‘bombardon kryeqytetin’ në 20-vjetorin e çlirimit të Prishtinës. Organizatori i kësaj ngjarje madhështore, Fikret Shatri, ish basketbollist i mirënjohur, tha se ka qenë një bukuri e rrallë sportive.   

Image

Fikret Shatri

“Bota sot”: Streeball ka thyer rekord shikueshmërie, a i keni tejkaluar pritshmëritë me pjesëmarrje të ekipeve, me rivalitet e me cilësi?

Fikret Shatri: Vitin e kaluar, pretendonim qe organizimet demode të gjeratëhershëm t’i ndryshoj, dorën në zemër ja dolëm, por ishim shumë të pafat, pasi që aksidentalisht kishte ndërruar jetë lojtari dhe bashkëlojtari i ‘3x3Prishtina’ Gazmend Sinani, që na goditi thellë, por në frymën dhe shpirtin e tij, vazhduam dhe realizuam edicionin e parë, me mjaft sukses dhe një shikueshmëri shumë të madhe, por këtë vit, ishte ngjarja më e paparë në Kosovë, trojet shqiptare por edhe në Ballkan, ju lutem shfletoni fotot dhe videot e postuara në rrjete sociale, ato flasin vetë dhe në këtë 20 vjetor të çlirimit të Prishtinës në 20 aktivitetet e organizuara dhe mbështetura nga KK Prishtina, “Prishtina sattelite tournament 2019”, ishe ajkë mbi ajkë, apo thënë më mirë qershia mbi tortë! 

“Bota sot”: Disa nuk ua kishin besën se do të jetë një spektakël i madh në kryeqytet, por tejkaloi pritshmëritë, çfarë e ka veçuar turneun?
Fikret Shatri:
Ka individ që nuk na kishin besën, por ata individ në realitet e dinë mirë kush jemi ne, çfarë ekipe dhe çfarë kemi dhënë për lojën 3x3, prandaj asgjë s'mund të ndodhte ndryshe pos një super spektakël, që me angazhimin tonë të madh  e dinim që do të ndodhte ‘termet’ në Prishtinë, për çka falënderojmë të gjithë, duke filluar nga qytetarët, sponsorët, stafin, shokët dhe miqtë tanë, Zoti i bekoftë që të gjithë, që na ndihmuan, që me këtë përformancë ta çudisim edhe vetë FIBA-n! Turneun e ka veçuar pjesëmarrja e një super ekipe nga Amerika. 

“Bota sot”: Është hera e parë që organizuat një garë të tillë dhe po aq madhështore apo siç thuhet në zhargonin sportiv dasmë streetballi, që i madh dhe i vogël u kënaqën me atmosferë e lojë, ku ishin pikat që i dhanë zjarr turneut?
Fikret Shatri:
Jo, ky ishte edicioni i dytë i organizimit të kësaj gare, arritëm ta ‘hallakatim’ qytetin tonë, duke i dhënë sharm, kënaqësi dhe argëtim të pafund! Pika që i dhamë zjarr turneut, ishte pjesëmarrja e ekipeve shumë cilësore, edhe pse në momente të fundit, nuk arriti të na vijë një ekip shumë cilësore nga Bosnja, për shkak të vizave dhe ekipi nga Mali i Zi G-unit, ku dy lojtarë i kishin të lënduar, po ashtu kishte interes të vijnë ekipe edhe nga Serbia, por problemi qëndron tek kërcënimet e Federatës Serbe, e cila i sanksionon ata lojtarë në rast të pjesëmarrjes në turnetë tanë! 

“Bota sot”: Cilat janë hapat tjerë në javët e ardhshme sa i përket kësaj gare, në cilat qytete do të shtrihet ky aktivitet?
Fikret Shatri:
Ekipi fitues, pas dy jave do të marrë pjesë në Challenger në France, ku ne si organizator, i heqim të gjitha shpenzimet e transportit, ku kostoja është shumë e lartë. Ne si ekipe super kampione, kemi plane shumë të mëdha dhe atraktive, por për me hollësi, gjatë ditëve në vijim do ju japim informata konkrete sa i përket planeve, që janë shumë serioze, që prekë thelbin e shoqërisë në përgjithësi dhe qytetin e Prishtinës në veçanti, besoj që do të mbeteni të befasuar me planet tona!
“Bota sot”: Çfarë iu duhet më shumë juve si shoqatë?
Fikret Shatri:
Neve si klub, na nevojitet urgjentisht një fushë moderne e lojës 3x3, pasi që nuk kemi, vetëm Shoqata e Sttretboll Kosova gjegjësisht  z. Fehmiu i cili posedon fushën moderne të lojës 3x3, të mbështetur 100% nga MKRS, por qe dy vite na refuzon të na jep në shfrytëzim atë fushë, sikur ta kishte blerë me para të babait të tij, ne detyrohemi të sjellim fushë jashtë Kosove, me kosto shumë të lartë, prandaj jam i befasuar me qasjen e atyre njerëzve destruktive, çuditem se si thirrën për masovitet të lojës 3x3, në të kundërtën punojnë kundër masovitetit!

Image

“Bota sot”: A e keni përkrahjen e plotë edhe të qendrave tjera?
Fikret Shatri:
Ne do të shtrihemi në të gjitha qendrat, me planet te cilat i kemi plane konkrete dhe shumë të prekshme, siç ju thash për këtë dhe si do jetë, se shpejti do të informoheni!

“Bota sot”: Cilat janë synimet për muajit e ardhshëm dhe për të ardhmen e këtij aktivitetit që bëri bujë?
Fikret Shatri:
Gjatë pjesës së dytë të vitit, planifikojmë që ta organizojmë edhe një garë tjetër, në një format krejt tjetër, të paparë në Kosovë, por në lidhje me këto plane, prapë s'mund të jap hollësi, sepse jemi në fazën e parë të planifikimit edhe pse s’kanë kaluar as 24 orë të përfundimit të garës me të ‘çmendur’ në Ballkan dhe jo vetëm!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat