Muaj shtator është muaj i sfidave për kampionin e Kosovës, Z Mobile Prishtina. Bardhekaltrit janë të vetmit që përfaqësojnë Kosovën në garat e Champions League në basketboll. Z Mobile Prishtina është skuadra më e mirë në trojet shqiptare në basketboll, e cila me lojëra të mira dhe rezultate befasoi për të mirë të gjithë në garat evropiane në edicionin që e lamë pas.
Prishtina ka një lider që iu priu sukseseve të deritashme të saja. Ai është Dardan Berisha, si makineri në secilën ndeshje. Basketbollisti Berisha është alfa dhe omega e klubit bardhekaltër, i cili thotë se çdo ndeshje në garat evropiane është e vështirë.
“Dali”, njëherësh anëtar i kombëtares së Kosovës, tha se Prishtina do të jetë edhe më e fortë se në edicionin paraprak, madje synon që t’i tejkalojnë rezultatet që i arritën në edicionin që e lamë pas qoftë në Kosovë qoftë në rrafshin ndërkombëtar!
Në Champions League Prishtina do të përballet me skuadrën polake, Legia Varshava. Ndeshja e parë do të zhvillohet më 17 shtator në Prishtinë, kurse ajo e kthimit më 20 shtator në Varshavë. Nëse skuadra e Prishtinës e kalon Legian, atëherë do të ndeshet Nizhny Novgorod nga Rusia.
Një fakt interesant është se Berisha e njeh shumë mirë cilësinë e ligës polake, pasi që një kohë ka luajtur në at kampionat, si për ekipet Polonia Varshava (2008-2010) e Anwil Wloclawek (2010–2012) dhe ka qenë edhe reprezentues i Polonisë.
“Bota sot”: Z Mobile Prishtina do të ballafaqohet me ekipin polak Legia Varshava. A është ndeshje shumë e vështirë?
Dardan Berisha: Çdo ndeshje në Champions League është e vështirë për secilën ekip, por Legia nuk është ndër ekipet më të forta, edicionin e fundit kanë përfunduar në pozitën e 8-të në ligën polake. Ata janë inkuadruar në Superligë qe 2-3 vite. Besoj që Prishtina do ta kaloj këtë kundërshtar.
“Bota sot”: Dardan, prej periudhave më të mira keni luajtur në Poloni, sa keni njohuri për Legia-n dhe ku janë të rrezikshëm?
Dardan Berisha: Në periudhën kur kam luajtur në Ligën e Polonisë, Legia Varshava ka qenë në divizionin e dytë dhe të parë, domethënë nuk kam luajtur kundër kësaj ekipe asnjëherë për 6 vite sa kam luajtur në Poloni.
“Bota sot”: A mendoni se Prishtina do të jetë edhe më e fortë se në edicionin e kaluar në garat evropiane?
Dardan Berisha: Shpresoj që do të jetë edhe më e fortë dhe mi përsërit e pse jo edhe mi tejkaluar sukseset e vitit të kaluar. A do të jete ashtu koha do ta dëshmon.
“Bota sot”: Ka kohë deri te kampionati i ri, a shpresoni se kampionati ynë do të jetë më i fortë, të paktën Prishtina të ketë rival më të denjë?
Dardan Berisha: Besoj që do të jetë ende më e fortë, plot ekipe po shpresojnë të marrin pjesë në gara ndërkombëtare, çka është mirë për klube dhe ligën, kur i shtohet këtu që u votua edhe ligji për sponsorizim të sportit, kështu që besoj që ka me pas ekipe më të forta dhe cilësore se vitet që lamë pas.