A do t’i mbetet Spaçi besnik KB ‘Don Bosko-s’? 

Basketboll

A do t’i mbetet Spaçi besnik KB ‘Don Bosko-s’? 

Nga: Kemajl Goca Më: 11 korrik 2019 Në ora: 15:24
A do t’i mbetet Spaçi besnik KB ‘Don Bosko-s’? 

Klubi i basketbollit “Don Bosko” nga Prishtina, ka qenë befasia më e këndshme e edicionit të kaluar në Ligën e Parë të Kosovës (meshkujt). Klub i organizuar në çdo aspekt dhe që dhuroi lojëra shumë të mira, mbase edhe disa skuadra i mbajti në presion të vazhdueshëm që synonin elitën e basketbollit.

Ekip që shumëkush e lakmon për nga mënyra e organizimit dhe se si luftojnë djemtë e ri në parket.  Valentin Spaçi, ish basketbollist i mirënjohur, është  kryetrajner i “Don Bosko-s”, i cili me punën që bëri ndërtoi një ekip të frikshme për secilin rival.  Spaçi tha se ka gjasa që t’i mbetet besnik kësaj skuadre.

“Sipas të gjitha gjasave do t’i mbetem besnik skuadrës së ‘Don Bosko-s’. Kam oferta nga dy skuadra të Superligës së Kosovës, edhe nga një skuadër në Maqedoni që garon në ligën e parë, por sipas të gjitha gjasave, në bazë të bisedave dhe përparësive familjare me lidhin ngushtë me qëndrimin tim të ‘Don Bosko’.

Por ditët në vijim do të jenë përfundimtare, pra  vendimi im”, thotë Spaçi për gazetën kombëtare “Bota sot”. Më tutje Spaçi tregon se nëse vendos të mbetet në ekip, se çfarë i duhet për edicionin e ri.

“Sipas plan-programit dhe marrëveshjes me drejtorin Don Izidor Lukiç do të vazhdojmë me Don Boskon, drejt targeteve tona, sepse klubi i basketbollit është njëra prej hallkave të suksesit që është pjesë e edukimit dhe arsimit të të rinjve në Q.S.E ‘Don Bosko’. Unë mendoj se për edicionin e ri do ta ripërtërijmë skuadrën me nxënës të shkollës sonë, ku bërthama skuadrës do të ruhet mirë”, tha Spaçi.

“Don Bosko” ka disa të veçanta në krahasim me klubet tjera. “’Don Bosko’, si e vetmja skuadër që ka palestrën në dispozicion të shumtën e kohës dhe se 20 vjet pas lufte e vetmja palestër ka nxemje gjatë sezonit të dimrit si për stërvitje ashtu edhe për lojë kampionale. Kjo falë organizimit në shkollë që kemi”, tregon ish basketbollisti i mirënjohur.  

Ai tha se e kanë dëshmuar se janë ndër më të organizuarit: “Unë lirisht mund të them se e kemi dëshmuar vjet se jemi njëra nder 8 skuadrat më të mira, të organizuara, duke marr parasysh faktin se si jemi përfaqësuar në Final 8 për Kupë në Rahovec”. Si e sheh në edicionin e ri ‘Don Boskon’?

“Duke u nis nga fakti se ne garojmë në ligën e parë, tani më është koha ku ne bëjmë përzgjedhjen e lojtarëve të rinj me një minikamp veror, ku do të testohen diku 30 lojtarë të moshave 16 deri 19 vjeç, edhe nga aty do t’i përzgjedhim 3 ose 4 lojtar. Si dhe me 15 gusht zyrtarisht fillojnë përgatitjet për ekipin e seniorëve”, ka përfunduar Spaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat