Azemi flet për gjasat e Kosovës në parakualifikimet e Eurobasket 2021

Basketboll

Azemi flet për gjasat e Kosovës në parakualifikimet e Eurobasket 2021

Më: 24 korrik 2019 Në ora: 10:44
Azemi flet për gjasat e Kosovës në parakualifikimet e Eurobasket 2021

Basketbollistët e Kosovës pas dy miqësoreve me Sllovakinë në udhëtim, janë stërvitur në Prishtinë. Lojtarët po japin maksimumin në stërvitje për tu përgatitur sa më mirë para ndeshjeve parakualifikuese që zhvillohen gjatë muajit gusht, ndaj Luksemburgut dhe Britanisë së Madhe.

Basketbollisti më me përvojë është Edmond Azemi, i cili nuk dorëzohet asnjëherë. Ai ka folur për rrjedhën e përgatitjeve. “Përgatitjet kanë shkuar mirë. Kemi pasur edhe dy ndeshje miqësore me Sllovakinë, ku në ndeshjen e parë, kemi mundur të fitojmë. Gjithsesi ndeshjet miqësore na shërbejnë të përgatitemi sa më mirë”, ka thënë Edo për faqen zyrtare të FBK-së.

Ai flet edhe për gjasat e Kosovës në parakualifikimet e Eurobasket 2021. “Ndeshja e parë ndaj Luksemburgut në udhëtim është shumë e rëndësishme. Duhet të fitojmë dhe më pas e presim Britaninë e Madhe në Mitrovicë, ku presim 3 mijë tifozë në palestër. Kemi treguar edhe më herët se në shtëpi, jemi një ‘arrë e fortë’ për çdo kundërshtar. Britania ka lojtarë shumë të mirë dhe po cilësohet favorit, megjithatë, ne nuk do të dorëzohemi dhe besoj se në shtëpi mund të mposhtim çdo kundërshtar. Unë besoj se edhe kemi gjasa të mira për kualifikim”, ka theksuar tutje Azemi.

Ai në shtator mbush 39 vjet, por gjithmonë jep maksimumin, si në fushë, ashtu edhe në stërvitje, duke qenë shembull për lojtarët e rinj. “Jam rikthyer te Kosova dhe gjithmonë jap maksimumin. Si për Prishtinën ashtu edhe për Kosovën jep gjithmonë 100 %. Edhe në këto parakualifikime shpresoj të ndihmoj Kosovën që të kualifikohet më tutje”, nënvizoi Edmond Azemi.

Dardanët më 3 gusht janë mysafirë të Luksemburgut, më pas e presin Britaninë e Madhe më 7 gusht dhe Luksemburgun më 14 gusht, kurse ndeshja e fundit është kundër Britanisë në udhëtim më 17 gusht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat