Prishtina dhe Rahoveci premtojnë spektakël për Superkupë

Basketboll

Prishtina dhe Rahoveci premtojnë spektakël për Superkupë

Më: 23 shtator 2019 Në ora: 15:36
Prishtina dhe Rahoveci premtojnë spektakël për Superkupë

Edicioni i ri në basketbollin e Kosovës fillon me dy ndeshjet e Superkupës. Prishtina-Bashkimi te femrat dhe Sigal Prishtina-Rahoveci te meshkujt.

Ndeshjet zhvillohen në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, që është organizatore së bashku me Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Prishtina dhe Rahoveci ishin ndeshur edicionin e kaluar edhe në finale të “Play-off”-it dhe Kupës, ku përballjet ishin shumë interesante.

Tifozët pritet të mbushin palestrën për të parë një spektakël të basketbollit, që është edhe nisja e edicionit të ri, ku pritet të jetë shumë interesant, sidomos me rikthimin e Pejës.

Kapiteni i Sigal Prishtinës, Dardan Berisha thotë se Superkupa është mënyra më e mirë për të nisur edicionin e ri. “Deri më tani jemi përgatitur për ndeshjet e Ligës së Kampionëve, kurse tani jemi fokusuar për sfidën e Superkupës. Besoj se do të jetë një spektakël i basketbollit, pasi palestra do të jetë e mbushur me tifozë dhe më i miri të fitoj në fund. Sigurisht ne, pas titullit dhe Kupës, duam edhe trofeun e Superkupës, por me rëndësi është që të jetë një ndeshje e bukur për tifozët dhe të nisë edicioni i ri i basketbollit në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Berisha për faqen e FBK-së.

Kapiteni i Rahovecit, Rron Grapci, pret një ndeshje të bukur për tifozët. “Ne jemi përgatitur për të dhënë maksimumin në fushë. Shpresoj se do të jetë një spektakël për tifozët. Përparësia për ne është se do të kemi ndihmën e tifozëve, derisa mendoj se, Prishtina nuk është e fortë si e vitin e kaluar. Sidoqoftë, nuk do të jetë një ndeshje e lehtë për të dy palët dhe besoj që do të zhvillohet një ndeshje dramatike dhe skuadra që e meriton të fitoj në fund”, ka thënë Grapci për faqen e FBK-së.

Ndeshja e meshkujve fillon nga ora 20:30, derisa biletat kanë dalur në shitje dhe kushtojnë 3 euro për dy takimet e ditës së martë.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat