Bashkimi demolon Prishtinën, fiton Superkupën e Kosovës

Basketboll

Bashkimi demolon Prishtinën, fiton Superkupën e Kosovës

Nga: Kemajl Goca Më: 24 shtator 2019 Në ora: 19:33
Bashkimi demolon Prishtinën, fiton Superkupën e Kosovës

Kampionia e Kosovës, Prishtina, nuk i bëri ballë lojë maestrale të Bashkimit nga Prizreni, në finalen e Superkupës së Kosovës (femrat), që u zhvillua në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec. Bashkimi demolon Prishtinën me rezultat 83:70 (23:15, 21:17, 22:16, 17:22).

Vashat e trajnerit të Prishtinës, Fidan Shatri, nuk ishin në elementin e duhur, ndërsa prizrenaset administruan lojën me shumë mençuri dhe me plotë meritë edhe triumfuan. Bashkimi e nisi në mënyrën më të mirë edicionin e ri, me trofeun e Superkupës së Kosovës, ndërsa prishtinaset dëshpëruan. Qysh në çerekun e parë Bashkimi konfirmoi forcën, duke i bërë me dije se trofeu do të shkoi në Prizren, ashtu edhe ndodhi.

Në minutën e 10-të, Bashkimi ishte në epërsi me 8 pikë (15:23). Në çerekun e dytë pritej një reagim më i mirë i kryeqytetasve, megjithatë nuk ndodhi dhe rritet epërsia e vashave prizrenase në 12 pikë (32:44).

Të gjithë menduan se pushimi 15 minuta do të ndikoi pozitivisht te Prishtina, por as kjo nuk i bëri punë, sepse vashat e Bashkimit e kishin mbrëmjen e tyre dhe nuk lejuan në asnjë moment që bardhekaltrat t’ia rrezikojnë epërsinë, në fakt ishte edhe një hakmarrje për humbjen e finaleve të play-off-it në edicionin që e lamë pas.

Në minutën e 30-të, rezultat i keq për bardhekaltrat për faktin se në semafor shënonte 48:66 në favor të Bashkimit apo 18 pikë epërsi, që vështirë edhe të shkrihej. Kjo epërsi i dha edhe më shumë krahë vashave nga Prizreni, të cilat në çerekun e fundit luajtën me komoditet, ndërsa Prishtina nuk e gjente në asnjë formë mundësinë për ta shmangur humbjen e thellë.  

Në minutën e 38-të, gjithçka dihej sepse Bashkimi kishte epërsinë në 15 pikë (65:80) dhe festa kishte filluar te prizrenaset. Basketbollistja Khadija Brown ka qenë më e dalluara te Bashkimi me 32 pikë, e ndihmuar nga Aisha Muhamed me 18 sosh etj. Danisha Shaw u shqua te Prishtina me 31 pikë, por as që i mjaftuan për ta evituar humbjen, ndërsa lojtaret tjera nuk ishin në ritmin e pritur. 

Prishtina-Bashkimi 70:83
Palestra e sportit “Mizahir Isma” në Rahovec.
Gjyqtarë: Xhelal Mumini, Ngadhnjim Shabani, Amar Gjekoviq.
Prishtina: Shatri 8, Shaw 31, Konjusha 13, Rushiti 2, Myers 10, Ajeti 3, Kamerolli, Martinaj 3, Ukaj, Rexhaj dhe Dekaj.
Bashkimi: Brown 32, Emra 4, Daci 12, Perçuku 15, Muhamed 18, V. Vraniqi, Muhadri 2, Baliqi, Gashi, Çejku, Krasniqi dhe S. Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat