Spartak Moska në Prishtinë

Basketboll

Spartak Moska në Prishtinë

Më: 22 tetor 2019 Në ora: 11:22
Spartak Moska në Prishtinë

Skuadra e Mabetex Prishtinës është duke i vazhduar përgatitjet për ndeshjen shumë të rëndësishme në grupet e FIBA EuroCup Women ndaj Sparta&k M.R. Vidnoje.

Ky do të jetë një ballafaqim shumë i rëndësishëm, por njëkohësisht i vështirë për skuadrën prishtinase, pasi skuadra ruse ka fituar katër herë Euroligën. Vashat e Prishtinës kanë nevojë më shumë se kurrë për përkrahje, pasi është hera e parë që marrin pjesë në një garë të nivelit të tillë, që është edhe historik për basketbollin e Kosovës.

Kjo është hera e parë që një skuadër te femrat garon në arenën ndërkombëtare, pas edicionit 2003-04, kur Universiteti kishte marrë pjesë në Ligën Rajonale Trocal.

Gjithsesi Mabetex Prishtina do të mundohet të ketë një përfaqësim sa më të mirë, pasi është hera e parë që është pjesëmarrëse e një gare të tillë. Kundërshtarët e Prishtinës kanë përvojë më të madhe në arenën ndërkombëtare, por edhe një buxhet shumë më të madh.

Synimi i vashave prishtinase është të kenë një paraqitje sa më të mirë, derisa janë duke u përgatitur maksimalisht për këtë sfidë.

Adhuruesit e basketbollit do të kenë mundësi të shohin një ndeshje mjaft të mirë, ku kampionet e shumëfishta të Kosovës përballen me një skuadër shumë të fortë ruse.

Mabetex Prishtina-Sparta&k M.R. Vidnoje zhvillohet të enjten nga ora 20:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Bardhekaltret në ndeshjen e parë kishin pësuar nga MBA Moscow në udhëtim 90:58, derisa Sparta&k M.R. Vidnoje mundi Beshiktashin 80:71.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat