FBK në Gjenevë

Basketboll

FBK në Gjenevë

Më: 29 tetor 2019 Në ora: 16:01
Arben Fetahu

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku më 27 Nëntor do të udhëtojnë për në Gjenevë.

Arsyeja e udhëtimit të krerëve më të lartë të FBK-së është ftesa e bërë nga Sekretari i Përgjitshëm i FIBA, Andreas Zagklis për një takim pune në "Shtëpinë e Basketbollit".

Numri një i FBK-së, Arben Fetahu ka thënë se ky takim vjen si rezultat i bashkëpunimit shumë të mirë që e ka FBK-ja me FIBA Evropën dhe FIBA Botën.

"Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis është emëruar në këtë pozitë para rreth një viti dhe ne kemi pasur rastin të takohemi me z. Zagklis në disa evente të FIBA-s, dhe ai na ka përgëzuar për gjithë punën që po e bëjmë në zhvillimin e basketbollit në vendin tonë.

Megjithatë, tani do të zhvillojmë një takim pune, ku i kemi përgatitur disa tema konkrekte për të cilat do të bisedojmë me z. Zagklis".

Duhet theksuar se në gusht të këtij viti në Prishtinë në vizitë një ditore pati qëndruar Presidenti i FIBA Evropës, Turgay Demirel, i cili kishte ardhur për ti dhënë përkrahje FBK-së dhe për ta përgëzuar në organizimin e FIBA U20 Kampionatit Evropian, Divizionit B - Femrat që është mbajtur në kryeqytet prej 3 deri më 11 Gusht.

Kujtojmë se në qershor të këtij viti Bordi i FIBA Evropës i ka emëruar anëtarët e Komisioneve të FIBA Evropës.

Në këtë mënyrë për herë të parë në Komisione të FIBA Evropës kanë zënë vend edhe përfaqësuesit e FBK-së.

Bëhet fjalë për kryetarin e FBK-së, Arben Fetahu, i cili është emëruar anëtar i Komisionit Ligjor (FIBA Europe Legal Commission) dhe për Sekretaren e Përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushku, e cila është emëruar në Komisionin e të Rinjve (FIBA Europe Youth Commission).

Anëtarët e Komisioneve të FIBA Evropës kanë mandat katërvjeçar, pra prej 2019 deri më 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat