FIBA ia beson FBK-së organizimin e një tjetër Kampionati Evropian në Prishtinë

Basketboll

FIBA ia beson FBK-së organizimin e një tjetër Kampionati Evropian në Prishtinë

Më: 10 nëntor 2019 Në ora: 13:09
FIBA ia beson FBK-së organizimin e një tjetër Kampionati Evropian në Prishtinë

Bordi i FIBA Evropës në mbledhjen e mbajtur në Cologne të Gjermanisë në rendi të ditës i ka pasur edhe kandidaturat e shteteve anëtare të saj që kanë aplikuar për organizimin e Kampionateve Evropiane për gjeneratat U16, U18, U20 në të dyja konkurrencat (meshkuj dhe femra) dhe në të gjitha Divizionet, A, B dhe C.

Bordi i FIBA Evropës e ka miratuar kandidaturën e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) për organizimin e FIBA U16 Kampionatit Evropian, Divizioni C.

FIBA U16 Kampionati Evropian, Divizioni C do të mbahet prej 12 deri më 19 Korrik 2020 në Prishtinë dhe do të marrin pjesë 11 shtete: Kosova, Shqipëria, Andorra, Armenia, Azerbajxhani, Malta, Moldavia, Skocia, Gjibraltari, San Marino dhe Uellsi.

Numri një i basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu është shprehur i lumtur që për herë të tretë radhazi FIBA ia beson FBK-së organizimin e Kampionateve Evropiane.

Arben Fetahu, Kryetar i FBK-së:

“Ky është një lajm shumë i mirë për basketbollin e Kosovës. Për vitin e tretë radhazi ne na jepet rasti që të dëshmohemi si organizator dhe ky është një vlerësim shumë pozitiv nga ana e FIBA-s. Ekipi i Kosovës do të jetë konkurrent i fortë, andaj presim që të kemi lojëra cilësore nga djemtë tanë dhe në të njëjtën kohë edhe përkrahje nëpër palestrat ku do të zhvillohen ndeshjet.

Kjo është dëshmia më e mirë e punës me gjenerata të reja nga Federata e Basketbollit të Kosovës. Dhe ne tani po vazhdojmë ta bëjmë këtë, por duke e ngritur në një nivel krejt tjetër këtë punë, pra me fillimin e organizimit të projektit të Qendrës Kombëtare të Basketbollit”.

Ndërkohë Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, e cila është në krye të organizimeve të FIBA Kampionateve Evropiane ka thënë se është tej mase e lumtur që Kosova do të vazhdojë me ritmin e organizimeve të eventeve të tilla.

Elvira Dushku - Sekretare e Përgjithshme e FBK-së:

“Pas investimeve që i kemi bërë nëpër palestra, e vecanërisht në palestrën 1 Tetori në Prishtinë, FBK ka menduar se është e rrugës që të vazhdohet me organizime të Kampionateve Evropiane, dhe kësaj radhe e kemi parë të rrugës që të aplikojmë për FIBA U16 Kampionatin Evropian, Divizioni C. Ne premtojmë se do të përgatitemi sa më mirë dhe do të kemi një organizim të shkëlqyeshëm, të tillë që edhe di t’i bëjë Federata e Basketbollit të Kosovës.

Notat e larta të marra nga FIBA për dy organizimet e para, FIBA U18 Kampionati Evropian, Divizioni C dhe së fundi FIBA U20 Kampionti Evropian, Divizioni B – Femrat na kanë motivuar shumë, andaj do të jemi të gatshëm për gjithë atë që na pret në verën e ardhshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat