Prishtina synon fitore ndaj Medi Bayreuth, për të siguruar kualifikim tutje në FIBA Europe Cup

Basketboll

Prishtina synon fitore ndaj Medi Bayreuth, për të siguruar kualifikim tutje në FIBA Europe Cup

Më: 19 nëntor 2019 Në ora: 13:18
Bujar Loci

Kampionia e Kosovës në basketboll, Sigal Prishtina, të mërkurën (nesër) nga ora 19:00 do të zhvillojë ndeshjen vendimtare në grupet e FIBA Europe Cup.

Prishtinasit do të ndeshen me skuadrën gjermane Medi Bayreuth, ku duhet të fitojnë me +9 pikë dallim për të siguruar kualifikimin në xhiron e radhës.

Këto dy skuadra kanë nga dy fitore dhe dy humbje, prandaj sfida e së mërkurës është vendimtare se kush do të kualifikohet tutje.

Në sfidën e parë ndërmjet këtyre dy skuadrave në Gjermani, kishin fituar vendësit me rezultat 97:89.

Para kësaj ndeshje, klubi nga kryeqyteti ka mbajtur konferencën për media. Aty u paraqitën trajneri, Bujar Loci, lojtari amerikan Divine Myles, si dhe qendra e skuadrës, Fisnik Rugova.

Trajneri i skuadrës Bujar Loci u shpreh se nesër Prishtinën e pret një ndeshje tejet e vështirë, por me ndihmën e tifozëve dhe me një koncentrim  të duhur të lojtarëve mund të arrijnë kualifikimin.

Loci: Nesër na pret një ndeshje tejet e vështirë

“Dihet se kjo lojë është e një rëndësie të madhe, posaçërisht për ne, por edhe për ekipin gjerman sepse të dyja jemi pretendente për të kaluar në raundin e dytë të FIBA Europe Cup. Ata kanë lojtar jashtëzakonisht kualitativ, kanë një roster më të gjerë se ne, mirëpo si gjithmonë ne do të japim çdo gjë nga vetja që edhe prej kësaj ndeshje të nxjerrim një epilog pozitiv”, tha fillimisht Loci.

Sa i përket problemit të skuadrës me dyshen e basketbollistëve, Edmond Azemi dhe Dardan Berisha, Loci tha se ende nuk kanë marrë ndonjë vendim, mirëpo deri në ditën e nesërme do të dihet se a do të jenë të pranishëm në ndeshje apo jo.

Edmond Azemi është duke u stërvitur me klubin, dhe sipas të gjitha gjasave ai pritet të jetë nesër në formacion, ndërsa për Dardan Berishën ende nuk dihet vendimi, vendim të cilin pritet ta marrë edhe kësaj radhe kryesia e klubit.

Qendra e klubit, Fisnik Rugova pohoi se në Prishtinë  kanë pësuar humbje edhe ekipe edhe më të fortë se kundërshtari i nesërm, dhe shpreson që me ndihmën e publikut edhe kësaj radhe Prishtina t’ia dal.

Rugova: Shpresoj që edhe kësaj radhe t’ia dalim

“Mendoj që për ne është ndeshja më e rëndësishme e sezonit deri më tani. E dimë rëndësinë e kësaj lojë dhe jemi përgatit gjatë gjithë javë. Këtu si vendas mund ta mposhtim çdo ekip, këtë e kemi treguar edhe vitin e kaluar kur e kemi mposhtur, Groningen këtu. Shpresoj që ta përsërisim edhe nesër, me ndihmën e publikut mendoj se ne mund t’ia dalim”, tha Rugova.

Ndërsa Divine Myles u shpreh se nëse luajnë të bashkuar sikurse ndeshjet e fundit padyshim se fituese do te jetë Prishtina.

Myles: Duhet të qëndrojmë të bashkuar

“Kemi një ndeshje të madh nesër, duhet të fitojmë me më shumë se nëntë pikë, andaj duhet të praktikohemi, të qëndrojmë se bashku, të qëndrojmë të fokusuar dhe besoj që mund t’ia dalim të arrijmë kualifikim, këtu në shtëpinë tonë ”, deklaroi Myles.

Në Grupin C, Ventspils është lider me katër fitore në po aq ndeshje, kurse në pozitën e fundit është Apoel Nicosia me katër humbje.

Prishtina edicionin e kaluar kishte hyrë në top-16, duke qenë suksesi më i madh për prishtinasit në këtë garë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat