Viti i sukseseve për klubin e basketbollit të Prishtinës, skuadra e parë që merr pjesë në garat evropiane

Basketboll

Viti i sukseseve për klubin e basketbollit të Prishtinës, skuadra e parë që merr pjesë në garat evropiane

Më: 9 janar 2020 Në ora: 13:54
Basketbolli

Klubi nga Prishtina ka fituar dy trofe shumë të rëndësishëm në basketbollin e Kosovës, Kupën e Kosovës, si dhe titullin e kampionit. Gjithashtu, Mabetex Prishtina është bërë skuadra e parë në konkurrencën e femrave që merr pjesë në një garë evropiane, siç është ajo e FIBA Europe Cup.

Përpos sukseseve të arritur, klubi ka hasur edhe në shumë vështirësi, sidomos në aspektin financiar, mirëpo me një angazhim të madh të kryesisë, si dhe të trajnerit, klubi ia ka dalur të jetë pjesë e kompetecioneve kryesore gjatë këtij vitit.

Mabetex Prishtina këtë sezon është bërë skuadra e parë e Kosovës në konkurrencën e femrave që ka marrë pjesë në një garë evropiane dhe në atë të FIBA Europe Cup, ku prishtinaset nuk patën shumë fat në short dhe u eliminuan qysh në fazën e grupeve, duke pësuar gjashtë humbje në gjashtë ndeshje të zhvilluara.

Trajneri i klubit Mabetex Prishtina, Fidan Shatri midis tjerash shprehet i kënaqur me arritjet e klubit, si dhe me sukseset që kanë korrur vashat prishtinase gjatë vitit që lëmë pas.

Shatri: Viti 2019, vit shumë i rëndësishëm për ne

“Ka qenë një vit më ndryshe për klubin tonë, pasi që këtë vit, në muajin shtator kemi marrë pjesë edhe në FIBA Europ Cup dhe po mendoj që ka qenë një vit shumë i ngarkuar, pasi që në muajin shtator deri në muajin dhjetor kemi pasur lojë në mesjavë dhe në fundjavë dhe fokusi ka qenë që të përqendrohemi njëkohësisht në dy ligat por më e rëndësishme ka qenë FIBA Europe Cup. Po kthehem mbrapa, prej muajit janar ku ka qenë viti më i suksesshëm për ne, pasi që i kemi fituar të gjitha çka fitohen në Ligën e Kosovës, në Kupën e Kosovës, titullin kampion”, tha fillimisht Shatri.

Trajneri nga Istogu ka vazhduar duke treguar pritjet që kishin për FIBA Europe Cup, si dhe tregon se çfarë kanë mësuar lojtaret e tij nga pjesëmarrja në këtë garë të madhe evropiane.

Shatri: Kemi pritur paraqitje më të mira, por kemi mësuar shumë

“Ndoshta kemi pritur paraqitje pak më të mirë. E kemi ditur me kënd kemi punë, po shpresoj e thash edhe më herët, këto ndeshje pa marrë parasysh rezultatin, na kanë ndihmuar që lojtaret të ngritin nivelin e tyre në lojë, gjë që mendoj që është pa edhe në ligën vendore, në ndeshjen kundër Bashkimit që kemi zhvilluar. Ndoshta me një organizim më ndryshe të klubit, me një buxhet pak më të madh, ndoshta po mendoj që në vitet tjera të organizohemi pak më ndryshe dhe shpresoj që të kemi paraqitje sa më të mira”, përfundoi Shatri.

Edhe kapitenia e skuadrës, Irma Konjusha e cilësoi vitin që lëmë pas si shumë të suksesshëm për skuadrën dhe bashkëlojtaret e saj, duke i përmendur sukseset e arritura gjatë këtij viti.

Konjusha: 2019-ta, vit i mirë për skuadrën tonë

“Ka qenë një vit i suksesshëm për klubin tonë të Prishtinës. Kemi fituar kupën e Kosovës, kampionatin e Kosovës, Super kupën edhe pse sezonin e kaluar, përfundimin e këtij sezoni e kemi humbur Super kupën e Kosovës, por ka qenë fokusi jonë siç e dinë të gjithë te FIBA Europe Cup, që kemi marrë pjesë. Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë për ne. Kemi luajtur kundër dy ekipeve të Rusisë dhe një të Turqisë. Kemi pësuar humbje por po besoj që ka qenë një mësim për ne. Të dimë ku jemi dhe që duhet të punojmë sa më shumë”, tha Konjusha.

Konjusha premtoi se vitin e ardhshëm Prishtina do të jetë shumë më e fortë dhe sërish do të synojnë të fitojnë titullin e kampionit, si dhe Kupën e Kosovës, dhe pse jo të marrin pjesë sërish në garat evropiane.

Konjusha: Vitin e ardhshëm do të jemi edhe më të fortë

“Është duke shkuar shumë mirë, domethënë jemi duke punuar. Edhe unë si Irma mendoj që kemi me pas shumë sukses vitin e ardhshëm. Nuk kemi me qenë si këtë vit. Do të përforcohemi me disa lojtarë, me bë një ekip të mirë edhe me vazhdu mu bë prapë kampion dhe prapë me marrë kupën”, u shpreh Konjusha.

Basketbollistja tjetër e Prishtinës, Era Shatri e cila është pjesë e Prishtinës qe një kohë të gjatë, deklaroi se klubi në të cilin ajo bënë pjesë, vitin që po lëmë pas, ka fituar gjithçka në elitën kosovare. Ndërkaq sipas saj, edhe pse kanë pësuar gjashtë humbje në FIBA Europe Cup, ato janë munduar që të tregojnë përformanca sa më të mira atje.

Shatri: Kemi pasur një sezon të mirë

“Për neve ka qenë një sezon mjaft e suksesshme. Dihet që kemi fituar kupën e Kosovës së pari, pastaj kemi fituar edhe titullin e kampionit, besoj që kemi kaluar një sezon mjaft të mirë. Mendoj që përveç fitoreve që i kemi, kemi treguar edhe lojëra mjaft cilësore. Përveç kësaj një arritje e madhe për ne ka qenë edhe marrja pjesë në EuroCup, ka qenë diçka e re për ne për basketbollin kosovar për femra, mirëpo mendoj që edhe pse kemi pësuar humbje, jemi munduar që në mënyrë dinjitoze ta tregojmë sa më mirë dhe të shfaqemi sa më mirë atje”, shtoi Shatri.

Shatri ka treguar dallimet mes basketbollit kosovar dhe atij ndërkombëtar, duke theksuar përgatitjen fizike të lojtareve, si dhe kushtet të cilat iu plotësohen nga klubet e tyre përkatëse.

Shatri: Dallim i madh mes basketbollit kosovar dhe atij ndërkombëtar

“Në fazën e grupeve kemi pasur mjaftë lojë të vështira. Kemi pasur dy skuadra ruse dhe një turke dhe mendoj që dallimi ka qenë shumë i madh, duke nisur prej përgatitjes fizike, kushtet të cilat ata i kanë pasur. Është vërejtur një dallim shumë i madh mes neve dhe atyre, mirëpo edhe pse ka qenë ajo diferenca e madhe që është vërejtur në fushë, në parket, në çdo nuancë të lojës, mendoj që jemi munduar që së paku të tregojmë që mundemi dhe jemi duke punuar për të arritur ditë më të mirë për basketbollin femëror”, tha Shatri.

Ndërsa, sekretarja e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Prishtinës, Elvira Dushku u shpreh se ka pritur më shumë nga skuadra nga kryeqyteti, mirëpo sipas saj fati nuk ishte me të në hedhjen e shortit, pasi nga skuadrat më të reja në këtë edicion të FIBA Europe Cup, Prishtina kishte grupin më të vështirë.

Dushku: Kemi pritur më shumë nga Prishtina në FIBA Europe Cup

“Nuk është ajo se çfarë kemi parashikuar, para shortit themi që është tërhequr për këtë ekip, sepse edhe vet ekipi kur ka aplikuar për t'u paraqitur ka pasur shpresë që të bie me ekipe të Hungarisë apo me ekipe të tjera që janë më modeste, sepse të gjitha ekipet janë kualitative dhe mund të themi që 100% prej të gjitha skuadrave të reja që kanë hyrë në këtë edicion në FIBA Europ Cup, Prishtina ka qenë më e pafat, i kanë ra ekipet dy nga Rusia dhe një nga Turqia, kryesisht ekipe shumë shumë të forta”, u shpreh Dushku.

Mabetex Prishtina gjendet në pozitën e dytë në renditjen tabelare të Superligës së Kosovës në basketboll, me dy pikë më pak se Bashkimi, skuadra e vetme e cila ia ka shkaktuar dy humbje skuadrës nga kryeqyteti.

Mirëpo synimet e klubit të Prishtinës për vitin 2020 mbeten të njëjta, fitimi i Kupës së Kosovës, si dhe fitimi i titullit kampion. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat