Rahoveci fiton dramën ndaj Trepçës, kalon në gjysmëfinale

Basketboll

Rahoveci fiton dramën ndaj Trepçës, kalon në gjysmëfinale

Më: 11 shkurt 2020 Në ora: 22:21
Pamje nga ndeshja

Në një super ndeshje, ku nuk mungoi drama, Rahoveci ka mundur Trepçën me rezultat 97:95, duke kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.

Atmosfera ka qenë e jashtëzakonshme, ku në palestër ishin mbi 3 mijë shikues.

Fillimisht është bërë ceremonia hapëse, ku foli kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, i cili theksoi se është i nderuar që Final 8, po zhvillohet në qytetin e Rahovecit, derisa përgëzoi organizatorët për punën e madhe që kanë bërë.

Edhe Alban Rama, ushtrues detyre i kryetarit të KB Rahovecit, deklaroi se kanë bërë çmos që ky Final 8 të jetë i paharrueshëm, derisa edhe Komuna e Rahovecit ka ndihmuar që kjo ngjarje të jetë madhështore.

Ndeshja nisi e baraspeshuar me të dy skuadrat që luftuan për çdo top dhe asnjëra nuk arritej të shkëputej.

Kjo bëri që kjo pjesë të përfundojë 20:22. Lojë shumë e bukur dhe e fortë u zhvillua edhe në periudhën e dytë, me mysafirët që kishin epërsi deri në dhjetë pikë, megjithatë, vendasit në fund ngushtojnë shifrat në 37:45, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë.

Lojë edhe më interesante u zhvillua në periudhën e tretë, ku vendasit rikthehet fuqishëm, duke barazuar shifrat në 48:48, e më pas kalojnë edhe në epërsi për një pikë, megjithatë, mitrovicasit ishin në epërsi pas 30 minutash me rezultat 61:68. Dramë e vërtetë u zhvillua në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes.

Rahoveci barazon shifrat në 82:82.

Për shkak të sjelljeve josportive dhe hudhjes së gjësendeve të rrezikshme në parket, Policia zbrazi tribunën veriore, aty ku ishin të pozicionuar tifozët e Trepçës.

Rahoveci pastaj kaloi në epërsi 84:82, por Trepça kundërpërgjigjet me katër pikë.

Fituesi nuk është ditur deri në sekondat e fundit, ku më të vëmendshëm u treguan vendasit dhe fituan 97:95.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat