Peja gjunjëzon Yllin dhe fiton Kupën e Kosovës – e pesta në hisotri të klubit ‘verdhezi’

Basketboll

Peja gjunjëzon Yllin dhe fiton Kupën e Kosovës – e pesta në hisotri të klubit ‘verdhezi’

Më: 15 shkurt 2020 Në ora: 22:31
Foto nga ndeshja

Peja ka arritur që të fitojë finalen e madhe të ‘Final 8’, duke fituar kështu Kupën e Kosovës për herë të pestë në histori të klubit, në finalen kundër Yllit (64:79).

Spektakli në Rahovec nuk nisi si më së miri, pasi tifozët e Yllit u kujdesën që të linin një njollë të zezë, duke mos respektuar intonimin e himnit të Kosovës, me vërshëllima dhe brohoritje ‘Shqipëri etnike’.

Peja dominoi nga fillimi i takimit dhe arriti të shkëputej deri në 18 pikë qysh në çerekun e parë të ndeshjes, duke treguar se në këtë finale janë futur me synimin e qartë – fitoren. Thuajse të njëjtën tempo pejanët mbajtën edhe në çerekun e dytë, dhe në pauzën mes dy pjesëve, rezultati ishte 31:47.

Në pjesën e dytë, Ylli nisi më mirë, dhe arriti që të shkrinte epërsinë e ‘vedhezinjve’, duke u afruar në vetëm gjashtë pikë. Çereku i tretë u mbyll me rezultatin 51:57.

Megjithatë, Peja dukej se kishte ruajtur forcat për 10 minutëshin e fundit. Drilon Hajrizi, Sirko e Jonson ishin të pandalshëm, duke i dhënë Pejës një tjetër seri të mirë, për të bërë që në fund ndeshja të mbyllet me rezultatin 64:79.

Më i miri te Peja ishte Jonson me 20 pikë, por kontributin e tyre dhanë edhe Hajrizi me 13 pikë e Sirko me 16 pikë. Pikë dyshifrore regjistroi edhe Prahl (10).

Dardan Berisha befasoi në këtë mbrëmje, duke shënuar vetëm nëntë pikë, dhe në 10 tentimet e para për tri pikë, nuk qëlloi asnjëherë.

Në anën tjetër, te Ylli, më i miri ishte Samir Zekiqi, i cili u dallua si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Mitrovicasi shënoi 20 pikë në total. Lojë të mirë bëri edhe Mckay, i cili shënoi 12 pikë.

Problemet e nisura në fillim të ndeshjes nga tribunat nuk kishin marrë fund. ‘Ultrasit’ në palestër u kujdesën që të ndërprejnë ndeshjen edhe një herë, dy minuta para fundit. Skuadrat nuk patën mundësi të kthehen në parket për më shumë se pesë minuta, duke bërë të obligueshme ndërhyrjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës.

Në gjithë këtë organizim të madh, ku pati të mira e të këqija, Peja arriti të fitonte Kupën e Kosovës për herë të pestë në histori të klubit, në ‘Mizahir Isma’, në Rahovec, ku u organizua ‘Final 8’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat