Çfarë ndodhi me 5 maj 1995 gjatë ndeshjes KB Trepça –KB Prishtina në Mitrovicë?

Basketboll

Çfarë ndodhi me 5 maj 1995 gjatë ndeshjes KB Trepça –KB Prishtina në Mitrovicë?

Nga: F.B Më: 4 maj 2020 Në ora: 17:15
Mehmet Tahiri

Mehmet Tahiri ish-atleti, donatori dhe drejtuesi e sportdashës nga qyteti buzë Ibrit nuk do të harroj asnjëherë gjatë jetës së tij 5 majin 1995, pasi ishte një ndër protagonistët dhe ata që maltretuan, rrahën e burgosën për organizim sportiv, sipas tij, kjo datë do të mbetet në anale të sportit të Kosovës posaçërisht në basketboll si një ditë tragjike ku ndërhyrja barbare e policisë serbe ushtroi dhunë, maltretime dhe burgosje të sportistëve shqiptar.

Si dihet nga njohësit e sportit vendor, pavarësimi i sportit të Kosovës filloi në vitin 1991, atëherë kur veprimtarët sportiv dhe sportistët filluan të organizohen nëpër klube dhe institucione sportive duke krijuar edhe një segment të rrugëtimit në pavarësimin e shtetit të Kosovës.

Njëjtë sikur sportet tjera veproi edhe Federata e Basketbollit të Kosovës, duke punuar aktivisht në organizimin e ndeshjeve kampionale të Kosovës, një ndër to ishin edhe ndeshjet Trepça – Prishtina dhe Ylli – Drita të cilat duheshin të zhvillohen në Mitrovicë më 5 Maj 1995, në Mitrovicë në shkollën atëherë “Ibrahim Pervizi” e tash “Skënderbeu” në Vaganicë lagje e Mitrovicës, ku ishin 200 deri 300 shikues.

Dita e premte e 5 Majit 1995 mbetet në histori të pavarësimit të Sportit të Kosovës ku përjetësisht nuk e harrojnë akterët e asaj kohe e posaçërisht Mehmet Tahiri i cili aso kohe ishte anëtar i Kryesisë së Federatës së Basketbollit të Kosovës, nënkryetar dhe donator i KB “Trepça”- Mitrovicë.

Përderisa kanë kaluar shumë gjenerata e janë ndërruar shumë kryesi në FBK, Mehmet Tahiri nuk ka harruar as detajin më të vogël të asaj që kishte ndodhur 26 vjet më parë duke i risjell ato shumë të freskëta. “Luhej minuta e 13-të e pjesës së dytë e ndeshjes derbi KB Trepça – KB Prishtina, në sallë me një shpejtësi dhe shqetësim të madhe u paraqit drejtori i shkollës Xhafer Fazliu i cili lajmëroi se shkolla po rrethohej nga një numër i madhe i forcave policore serbe” kujton ai.

Ndeshja u ndërpre, në sallë u krijua një heshtje e paparë, salla e shkollës ishte e stërmbushur me tifoz, në publik ishin edhe lojtarët e Yllit të Suharekës dhe Dritës së Gjilanit, e gjithë personat zyrtar të klubeve dhe stafi teknik i ndeshjes kaluan në pjesën e tifozëve mban mend Mehmeti.

Mbeta i vetëm me lojtarët dhe shikoja fytyrat e djemve të brengosura për atë që mund të ndodhte, në situatën e krijuar për mua ata ishin si fëmijët e mi, sepse prindërit e tyre na i besonin fëmijët ne organizatorëve, kjo më dha kurajo dhe guximin që të marrë barrën e organizatorit të ndeshjes.

Meha tregon se “menjëherë pas njoftimit të drejtorit, stafi i të dy skuadrave kishte dalë në pjesën e sallës ku ishin të vendosur shikuesit. Pjesa ku ishin shikuesit me parket ishte e ndarë me anë të një muri me lartësi prej 1 metri”.

Policet natyrisht ishin të armatosur dhe mbanin tytat e armëve të drejtuara nga ne , kujton Tahiri, duke shtuar se në aksionin e policisë serbe ishin të përfshirë rreth 100 policë dhe pas pyetjes kush është organizatori Meha është lajmëruar vetë.

"Udhëheqësi i aksionit të polici menjëherë më ka goditur, ka sjellë në mua, pastaj ka dhëne urdhër që të prangosem. Më kanë dërguar në një skaj të sallës, ndërsa policët e tjerë kanë filluar identifikimin e të pranishmëve” thotë Meha.

Policia duke e identifikuar publikun i kanë zbuluar edhe disa persona zyrtar të klubeve tjera dhe gjyqtarët e ndeshjes. Policia ka fillua me rrahje dhe maltretime nënçmuese në mes të sallës.

Nga salla unë me shtatë të tjerë jemi marrë në polici për procedura të mëtejmë dhe gjatë rrugës për stacion ka numëruar 14 automjete të policisë që ishin pjesë e aksionit në rrethimin e shkollës.

Në polici, më së keqi e ka pësuar gjyqtari i ndeshjes, Azem Hoxha nga Prizreni, që u rrah nga policët serbë, ndërkohë në sallë të shkollës ishte rrahur po ashtu shumë keq edhe gjyqtari tjetër, Muhamet Ahma nga Peja.

Në polici na morën në pyetje, ndërsa mua nuk më bënë shumë pyetje sepse u befasuan nga përgjigjet e direkt për organizatorin, llojin e ndeshjes, që iu përgjigja se jam unë, ndeshja është kampionale dhe Liga është Liga e pavarur e basketbollit të Kosovës.

Meha kujton se nga të arrestuari tjerë ka kërkuar që barrën për ndeshje t'ia lënë atij kur të merren në pyetje për të iu mundësua të tjerëve të lirohen nga përgjegjësia dhe ashtu ndodhi ata pas disa ore u liruan ndërsa Meha është dërguar menjëherë në burg.

Tregon se tri netët e para i kaloi në vetmi kurse pjesën tjetër është bashkuar me to burgosurit e tjerë. "Lënda ndaj meje fillimisht ishte për kundërvajtje, por qëllimi ishte që të shndërrohej në vepër penale dhe kështu të dënohem me shumë vite burg, sepse Federata atëkohë konsiderohej si institucion paralel i pushtetit serb dhe planet e serbëve ishin që unë të dënohem për cenim të integritetit të Jugosllavisë".

Tahiri në burg qëndroi 10 ditë, ndërsa meritat për lirim të shpejtë ia lë një personi të nacionalitetit boshnjak. Gjatë kohës sa ishte në burg, Kampionati i Kosovës në basketboll ishte ndërprerë, ndërsa pas daljes nga burgu, Tahiri kërkoi që kampionati të vazhdonte dhe kështu ndodhi.

Mehmet Tahiri prej vitit 1993 ishte donator i klubit Trepça, për disa vjet ishte donatori i vetëm i Trepçës, ndërsa pas luftës u largua nga organizimi dhe aktiviteti.

"Misioni im në sport ka përfunduar me ardhjen e lirisë. Kur i kam parë të rinjtë se mund të luajnë pa frikën se mund te rrahen nga policia, kam vlerësuar se e kam përfunduar një misionin jetësor dhe jam tërhequr”, thotë sot ai.
 

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat