Drejtori teknik zbulon propozimin e B-Eagles

Basketboll

Drejtori teknik zbulon propozimin e B-Eagles

Më: 6 maj 2020 Në ora: 14:07
Drejtori teknik zbulon propozimin e B-Eagles

Pandemia globale me virusin “COVID-19” ka shkaktuar një kaos të vërtetë në sistemin sportin në të gjithë botën. Aktivitetet e basketbollit në Shqipëri ashtu si të gjitha sportet e tjera për rreth dy muaj qëndrojnë pezull.

Ndërsa në këtë situatë nuk kanë munguar as debatet për mënyrën e vijimit të sezonit. Federata Shqiptare e Basketbollit, ndryshe nga disa shtete të tjera, shpreson në rifillimin e garave dhe, siç dihet, u ka propozuar klubeve dy opsione, por gjendja duket e komplikuar edhe për faktin se FSHB e ka mbaruar mandatin e saj më 30 mars.

Skuadra kryeqytetase, Barleti-Eagles, mendon se zgjidhja e këtij ngërçi mund të vijë vetëm nga mbledhja e asamblesë së përgjithshme të jashtëzakonshme. Klarent Dedaj, drejtori teknik i “Shqiponjave” dhe njëkohësisht trajner i ekipit U20, në një prononcim për “Panorama Sport” lidhur me zgjidhjen e kësaj çështjeje, do të shprehej: “Jo më larg se dy ditë më parë ne i kemi propozuar FSHB-së për mbledhjen e asamblesë së përgjithshme të jashtëzakonshme, pasi jemi në një situatë të jashtëzakonshme. Asambleja duhet të vendosë për mënyrën se si duhet të mbyllet sezoni, pasi në këtë moment që flasim presidenca dhe këshilli drejtues kanë mbaruar mandatin.

Vetëm asambleja mund të vendosë se si do të vijohet me përfundimin e kampionateve. E dyta që kërkojmë është caktimi i datës së zgjedhjeve dhe hapjes së fushatës, sepse është shumë e rëndësishme që t’u jepet mandati organeve drejtuese.

Ndërsa duhet të votojmë edhe statutin e ri të FSHB-së”, tha Dedaj, i cili më pas shton se është dakord me propozimin e bërë nga skuadra Goga Basket për rifillimin e sezonit: “Një opsion të cilin ne e vlerësojmë shumë është propozimi i bërë nga Perikli Goga, i cili ka thënë që kampionati të ndërpritet dhe vitin tjetër të jemi të gjitha ekipet në të njëjtin grup. Kështu nuk humbet sezoni për askënd”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat