Rodiqi: Sportistët duhet të bindin veten...

Basketboll

Rodiqi: Sportistët duhet të bindin veten...

Më: 27 maj 2020 Në ora: 12:48
Rodiqi: Sportistët duhet të bindin veten...

Trajnerët e basketbollit vazhdojnë të japin mesazhe për basketbollistët/et që të stërviten dhe të mos ndalen, derisa koha e rikthimit po afron.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, nga 1 qershori lejohen stërvitjet, por duke respektuar rregullat, siç janë distanca dhe higjiena.

Përzgjedhësi i Kosovës U20 (M), Mark Rodiqi, ju ka drejtuar të gjithë basketbollistëve të rinj me një mesazh mjaft domethënës.

“Përshëndes të gjithë dashamirët e basketbollit, me shpresë që sa më parë të dalim nga pandemia Covid-19 dhe të vazhdojmë aktivitetet shoqërore dhe sportive. Përshëndes gjeneratën e Kosovës U20 dhe më vjen keq që nuk kishim mundësi të përgatitemi dhe të luajmë në Kampionatin Evropian, Divizioni B. Këta djem të talentuar, më kanë bindur se kanë vullnet të lartë për të zhvilluar aftësitë e tyre dhe mendojmë se, do të jenë një aset i madh për të ardhmen dhe për Kosovën A.

Cila është sfida në këtë kohë të pandemisë?

Mendoj se sportistët duhet të bindin veten se kjo është fazë kaluese dhe që nuk do të ketë ndikim negativ në aftësitë dhe shkathtësitë e tyre.

Shumica e sportistëve gjatë karrierës së tyre pësojnë lëndime të cilat i lënë jashtë fushës me muaj të tërë. Sportistët kulminantë e shfrytëzojnë këtë fazë në mënyrë sa më pozitive, sepse në këtë kohë, mendojnë dhe reflektojnë për aftësitë e tyre, për mangësitë e tyre dhe zbulojnë një shtytje të re për avancimin e shkathtësive sportive. Edhe ju basketbollistë të rinj, duhet të shfrytëzoni këtë përvojë si mësim për të nxjerrë anët pozitive, që ju mundëson kthimin dhe tejkalimin e formës sportive, që keni pasur para pandemisë.

Tani kemi edhe një përvojë jetësore, e cila domosdoshmërish ndikon në pjekurinë tuaj si individ. Shfrytëzoni këtë sfidë në kuptim pozitiv dhe jam i bindur se do të dilni më të fortë, më të aftë, me të përqendruar për të arritur ekipin e seniorëve. Në ditët e sotme është e lehtë të gjenden burime të mjaftueshme ushtrimesh, si fizike, si basketbollistike, përmes materialeve nga interneti.

Mjeshtëria juaj duhet të jetë, të gjeni brenda vetes vullnetin për të zhvilluar anët tuaja më të forta dhe njëkohësisht për të gjetur mënyrën për të minimizuar mangësitë. Ju përshëndes dhe shpresoj të shihemi së shpejti në palestër”, ka thënë Rodiqi për faqen zyrtare të FBK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat