Pesë vjet nga debutimi historik i kombëtares së Kosovës

Basketboll

Pesë vjet nga debutimi historik i kombëtares së Kosovës

Më: 7 korrik 2020 Në ora: 11:40
Pesë vjet nga debutimi historik i kombëtares së Kosovës

Sot, më 7 korrik, janë bërë 5 vjet nga debutimi historik i Kosovës në garat ndërkombëtare.

Më 7 korrik 2015, Kosova kishte debutuar me Kombëtaren U16 (M) në FIBA Kampionatin Evropian U16, Divizioni C, në San Marino kundër Gjibraltarit.

Kosova në debutim kishte shënuar fitore të thellë ndaj Gjibraltarit, me rezultat 84:27. Djelmoshat e Kosovës zhvilluan një kampionat shumë të mirë, ku më pas shënuan fitore ndaj Monakos 96:56 dhe Uellsit 74:35. Në gjysmëfinale, “Dardanët” e rinj triumfuan kundër Maltës 65:45. Kosova në finale ishte mundur nga San Marino, 76:59.

Basketbollisti i Kosovës, Etnik Peci hyri në pesëshen më të mirë të Evropianit dhe u zgjodh MVP. Ai dërgoi Kosovën deri në finale, që ishte sukses, duke marrë parasysh se ishte debutimi në garat ndërkombëtare për Kosovën.

Më pas Kosova ka marrë pjesë edhe me Përfaqësuesen A, si dhe U20, U18 dhe U16 në konkurrencën e meshkujve dhe atë të femrave.

Sukses historik konsiderohet kalimi i Kosovës A në mesin e 32 Kombëtareve më të mira në kualifikimet për Kupën e Botës më 2017. Kosova në parakualifikime ishte në grup me Estoninë dhe Maqedoninë, duke u renditur e dyta, pas Estonisë dhe para Maqedonisë.

Kosova në vitin 2018 fitoi Kampionatin Evropian, Divizioni C për U18 (M), garë që u zhvillua në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat