James gati

Basketboll

James gati

Më: 25 korrik 2020 Në ora: 13:36
James gati

LeBron James synon vetëm fitoren e titullit, ndërsa afrohet rifillimi i ligës amerikane të basketbollit. Ylli i Lakers dëshiron t’i afrohet legjendës Michael Jordan.

Karriera e tij ka qenë e jashtëzakonshme. Shumë pak yje në sportin profesionist mund të mburren se kanë qenë në nivelin e LeBron James, por i mbiquajturi “Mbreti i basketbollit” ende nuk është i kënaqur. Ndërsa rinis përgatitjet për të përfunduar sezonin e NBA-së, të ndërprerë nga koronavirusi, ai ka vetëm një objektiv në mendje.

LeBroni do të jepte gjithçka që të fitonte titullin, që do të ishte i katërti në 17 vjet karrierë në ligën amerikane të koshit. Ylli i sotëm i Lakers vlerësohet si një nga më të mëdhenjtë e basketbollit, madje duelin e vetëm si numri 1 i historisë e ka me Michael Jordan.

Legjenda e Chicago Bulls fitoi 6 tituj kampion, duke luajtur gjatë gjithë karrierës me një skuadër të vetme, e madje duke i lejuar vetes të largohej për 2 vjet nga NBA për të provuar bejsbollin. Filmi dokumentar i Netflix, “Vallëzimi i fundit”, kushtuar titullit të Jordan në vitin 1998, e ka ndezur edhe më shumë debatin dhe e ka shtuar vendosmërinë e LeBron për të fituar.

Edhe pse është shënuesi i tretë më i mirë në histori, edhe pse mund të cilësohet më i kompletuar se Jordani, edhe pse ka qenë 16 herë në Ndeshjen e Yjeve dhe ka luajtur 8 finale radhazi, sërish janë titujt ata që vendosin dhe James është ende prapa.

Ai beson se sezoni i shkurtuar i NBA-së mund ta ndihmojë. Lakers janë kryesues në Konferencën Perëndimore, falë dyshes Lebron-Anthony Davis, ndonëse pritet të sfidohen nga Clippers në derbin e qytetit, Denver Nuggets apo Houston Rockets të James Harden.

Sidoqoftë, rivali më i fortë për titullin mbetet Milwaukee Bucks, i superyllit tjetër Giannis Antetokounmpo, skuadra që dominon Konferencën Lindore dhe që ka bilancin më të mirë të sezonit në NBA deri tani, me 53 fitore e 12 humbje, ndaj 49 fitoreve e 14 humbjeve të Lakers, transmeton abcnews.al

Gjithsesi, “Mbreti i Basketbollit” nuk është vetëm një sportist i madh, por edhe një luftëtar për të drejtat e njeriut. Ai kërkon drejtësi për vajzën afro-amerikane, Breonna Taylor, të vrarë nga policia amerikane në mars të këtij viti.

“Objektivi ynë është i qartë, ne duam titullin, – shprehet LeBron, – Jemi përgatitur fort për t’ia dalë. E di mirë se çfarë konkurrence na pret, por kështu ka qenë gjithmonë. Gjithsesi, unë jam këtu për të luftuar edhe për të drejtat e njeriut. Ne duam që agjentët e policisë, të cilët janë fajtorë për vrasjen e Breonna, të arrestohen. Ne duam që drejtësia të bëjë punën e saj. Si një nga udhëheqësit e kësaj lige, dua që familja e saj ta dijë sesa dhimbje ndjejmë ne për të”.

Në miqësoren e luajtur ndaj Dallas Mavericks, LeBron e kishte të shkruar në atletet e tij shprehjen “drejtësi për Breonna”. Duke u kthyer tek basketbolli, Lakers nuk u dukën edhe aq mirë, duke u mundur 108-104 në ndeshjen përgatitore, në prag të rifillimit të sezonit. Vetë “Mbreti” shënoi vetëm 12 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat