Dumoshi: Liga Unike na bashkoi në Tiranë

Basketboll

Dumoshi: Liga Unike na bashkoi në Tiranë

Më: 10 shtator 2020 Në ora: 22:26
Dumoshi: Liga Unike na bashkoi në Tiranë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Vlora Dumoshi, ka disa fjalë për themelimin e Ligës Unike.

"Liga UNIKE na bashkoi në Tiranë.

Sonte, në praninë e Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë, Besa Shahini dhe unë si ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHB) dhe Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) nënshkruan marrëveshje historike për themelimin e Ligës së basketbollit, mes dy shteteve, që do të quhet "Liga UNIKE".

Themelimi i Ligës Unike të Basketbollit është një sukses i jashtëzakonshëm i bashkëpunimit në sport mes Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë. Ky është një hap i madh për sportin dhe u ka hapur rrugë edhe sporteve tjera që të fuqizojnë bashkëpunimin ndërmjet federatave përkatëse.

Për mua, si ish-sportiste e punëtore shumëvjeçare sportive dhe si një person që tërë jetën e ka kaluar në sport dhe përkrah tij, krijimi i një gare zyrtare të përbashkët mbarëkombëtare përbën realizim të një ëndrre të kahmotshme. Jam e bindur se të gjithë sportistët nga Kosova ndajnë këtë ndjenjë timen.

Kënaqësi që federatat tona nënshkruajnë një marrëveshje që shënon një sukses kaq të madh sportiv mes dy vendeve tona", shkruan Dumoshi në profilin e saj në facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat