Fetahu numëron shumë gjëra: Nga Iliria tek Mburoja Ilire!

Basketboll

Fetahu numëron shumë gjëra: Nga Iliria tek Mburoja Ilire!

Nga: K.G. Më: 13 shtator 2020 Në ora: 12:47
Fetahu numëron shumë gjëra: Nga Iliria tek Mburoja Ilire!

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Afrben Fetahu, kujton edhe kohërat më të vështira të ekzistimit të basketbollit dhe sportit në përgjithësi, sidomos përballjen me pushtuesin serb.

Ai përmes një letre të gjatë që e ka publikuar në profilin e tij në facebook,  kujton edhe ndeshjen në Vaganicë të Mitrovicës në vitet e 90-ta.

“Nga Iliria tek Mburoja Ilire!

Image

Ashtu siç rëndom ndodhë kur merresh intensivisht me çështje, nuk është se mund ta bësh një vlerësim të mirëfilltë të rëndësisë së saj deri sa të mos kesh mbaruar punë. Deri sa tërë komuniteti sportiv, e edhe më gjerë, foli e po flet për rëndësinë e Ligës Unike në basketboll, si hap që duhet përgëzuar dhe ndjekur nga federatat tjera nga dy anët e kufirit, unë pas përmbylljes së këtij kapitulli nuk kisha si të mos reflektoj pak për kontekstin që na solli në këtë pikë.

Në natën e 10 shtatorit 2020, teksa ishim mbledhur për ta nënshkruar marrëveshjen e parë që formalizon krijimin e një strukture mbishtetërore sportive që ka për qëllim gjetjen e më të mirit ndër ekipet shqiptare të basketbollit, nuk kisha si mos t’ia shprehë vlerësimin disa individëve e figurave që i kisha para vetes e që kishin kontribuar që të arrijmë në këtë pikë. 

E për në këtë pikë ishim nisur bashkë me homologun tim shqiptar në pranverën e vitit të kaluar, pak pasi kisha shënuar një vit në krye të federatës dhe pak pasi kishim festuar përvjetorin e katërt të pranimit në familjen globale të basketbollit. Idenë e krijimit të një gare të përbashkët e kishim diskutuar disa herë me Avni Ponarin, njeriun që kam fat ta quaj mik dhe përkrahësin më të madh të basketbollit shqiptar në dy anët e kufirit në dekadat e fundit. 

Fillimisht u dakorduam që të fillojmë me ndeshje miqësore e vëllazërore mes kombëtareve tona në nëntor të vitit të kaluar, për të vazhduar me një superkupë mbarëkombëtare mes kampionëve në pranverë dhe me një garë të rregullt nga vjeshta e tutje. Rrethanat jashtë ndikimit tonë na imponuan anulimin e dy të parave, njëra për shkak të tërmetit të tmerrshëm që goditi truallin shqiptar e tjetra për shkak të pandemisë globale, ndërsa Ligën Unike na thanë se nuk do mund ta organizojmë sepse nuk kemi kapacitete, se nuk do të na lejojnë, se nuk është punë që bëhet, por ne kishim ndarë mendjen që ta jetësojmë ëndrrën shumëvjeçare të sportistëve në dy anët e kufirit për të garuar me njëri-tjetrin, për të krijuar një treg të përbashkët të basketbollit, për tu afruar, bashkëpunuar dhe këmbyer përvojat basketbollistë, drejtues e punëtorë sportivë, arbitra e komisionerë, tifozë e përkrahës.

Image

Atë natë para atij auditori të nderuar, para dritave të kamerave dhe bliceve të fotoaparateve të shumta, në terrenin e basketbollit të vendosur përballë Kryeministrisë së Republikës së Shqipërisë në qendër të Tiranës nuk kisha si mos ta kujtoj veten si një djalë i ndrojtur i cili mbi 25 vite më parë kishte hyrë për herë të parë si anëtar i ekipit senior të Prishtinës në parketin e Shkollës Fillore Iliria në Prishtinë, në fanellën të cilën e kisha veshur nën rrobat civile me të cilat kisha shkuar në sallë, për tu mos u rënë në sy atyre që nuk donin të na shihnin të luanim nën logon e Federatës së Basketbollit të Kosovës. 

Image

Po në atë ceremoni, Kryeministri Rama na e rikujtoi një tjetër ngjarje të cilën e kisha përjetuar dy vite pas përvojës së parë si basketbollist, kur gjatë një ndeshje të zhvilluar në lagjen Vaganicë të Mitrovicës kishin hyrë për të na bastisur, rrahur dhe frikësuar forca të shumta kriminelësh të maskuar si policë të asaj kohe. 

Nga ne lojtarët kërkuan letërnjoftimet megjithëse ishim me fanella loje, ndërsa udhëheqësit e klubeve dhe federatës i arrestuan dhe rrahën brutalisht para syve tanë dhe të publikut të pranishëm në atë sallë. Frika nën të cilën u larguam nga ajo sallë nuk zgjati shumë sepse javën tjetër do të luanim në një tjetër qytet, prapë duke fshehur fanellat nën rroba civile gjatë udhëtimit me vetura private të anëtarëve të kryesisë së klubit, prapë duke shpresuar për më të mirën në çdo postbllok, prapë duke mbajtur në ankth familjet deri në kthimin tonë. E sakrifica jonë e asaj kohe si lojtarë ishte e papërfillshme dhe as që mund të krahasohet me sakrificën dhe rrezikun me të cilën përballeshin organizatorët e federatës, zyrtarët e klubeve, trajnerët e arbitrat e asaj kohe.

Ëndërr e jona atëbotë ishte që të luajmë në salla me përmasa zyrtare të basketbollit, e jo në salla shkollash që ishin më të shkurtra e më të ngushta, në palestra ku publiku ulej në tribuna e nuk qëndronte në këmbë përreth terrenit e shpeshherë edhe brenda tij, që të shkonim në stërvitje e ndeshje pa frikë e të silleshim si basketbollistë profesionistë, që të frymonim lirshëm e të luftonim për të luajtur një ditë për vendin tonë. 

Një pjesë të ëndrrës e realizuam pas luftës kur u kthyem në palestrat sportive, një pjesë tjetër e realizuam në vitin 2008 kur si shtet i pavarur luajtëm lojën e parë miqësore me vëllezërit shqiptarë ndërsa kurorën ia vumë një vit pas pranimit në FIBA, kur në vitin 2016 përfaqësuesja e Kosovës u paraqit në gara si anëtare e barabartë e kombeve basketbollistike anembanë globit.

Krijimi i një lige të përbashkët mbarëkombëtare, e cila do ta kishte selinë në Prishtinë dhe do udhëhiqej nga një ish-basketbollist pejan, me bord udhëheqës të përbërë nga zyrtarët më të lartë të dyja federatave e të kryesuar nga një Mjeshtër i Madh i Sportit nga Tirana, e cila do të inaugurohej në Tiranë në praninë e udhëheqësve më të lartë institucionalë të Shqipërisë, Kosovës dhe FIBA Evropës, dhe e cila do të zhvillonte garën e saj në qytete të ndryshme të Shqipërisë e Kosovës, nga Adriatiku e deri rrëzë Bjeshkëve të Nemuna, mund të jetë konsideruar si ëndërr e paarritshme por ja që u bë realitet.

E natën pas inaugurimit të Ligës Unike në mendje më sillej një thënie anekdotale e Babit tim. Ai, tash në dekadën e nëntë të jetës, gjithmonë ma kishte uruar fatin e tij për të përjetuar zhvillime pozitive të përmasave të jetës së tij. Ai ndihet i bekuar që jetën e filluar si një nga dhjetë fëmijët e gjyshit tim, i rritur në një fshat afër Prishtinës në kushte të rënda të jetesës që u ngjajnë atyre të Mesjetës, pa ujë të rrjedhshëm e rrymë, tani po e shijon me zhvillimet më të fundit teknologjike, duke korresponduar me miqtë e tij në Facebook e Skype në iPad-in e tij.

Atë natë, kisha ndjenjën e një arritje monumentale të këtyre përmasave sepse një ish-basketbollist i rritur e zhvilluar në kushte okupimi e ilegaliteti, para Kryeministrit shqiptar e dy ministreve kosovare që udhëheqin sportin në dyja anë e kufirit, dhe para numrit një të basketbollit evropian, po e përmbyllte simbolikisht një proces të gjatë e të mundimshëm të bashkimit për të cilin kishin dhënë aq shumë pararendës tanë. 

Unë dhe Avniu kishim nderin të jemi ideatorë e arkitektë të kësaj nisme, por edhe përgjegjësinë për t’ia dhënë asaj formën e duhur dhe për ta jetësuar atë në momentin e parë që arritëm ta sigurojmë përkrahjen e duhur në të gjitha nivelet, por merita u takon të gjithë atyre zotërinjve e zonjave që mbajtën gjallë basketbollin e sportin kosovar në ditët më të errëta të kombit tonë duke rrezikuar e sakrifikuar çdo gjë të tyren, si dhe atyre që mbajtën gjallë zjarrin në palestrat e basketbollit në mileniumin e ri, duke përkrahur klubet e sportistët, ndërtuar infrastrukturën e nevojshme dhe krijuar struktura profesionale të respektuara ndërkombëtarisht në dy federatat tona.

Image

E tash që ky kapitull u përmbyll, duhet pasur parasysh se përkundër angazhimit intensiv që patëm për bashkimin e basketbollit shqiptar nën logon e Ligës Unike, e cila jo pa qëllim është e frymëzuar nga mburoja e luftëtarit ilir, krijimi i ligës mbarëkombëtare në basketboll përbën vetëm hapin e parë. Puna e vërtetë për ta organizuar Ligën Unike si shembull që duhet ndjekur nga sportet dhe federatat tjera, për të zhvilluar një garë të mirëfilltë e cilësore, dhe për të kultivuar dhe avancuar më tej imazhin e kombit tonë përmes saj dhe për t’i bërë të gjithë akterët që të mburren me logon mburojës ilire në gjoks, tek mbetet para nesh.
Na priftë e mbara!”, ka shkruar Fetahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat