Fetahu: Nuk do të ketë tifozë brenda sallave në ndeshjet e basketbollit

Basketboll

Fetahu: Nuk do të ketë tifozë brenda sallave në ndeshjet e basketbollit

Më: 23 tetor 2020 Në ora: 11:03
Ilustrim

Kryetari i Federatës së basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, në një intervistë, ka folur për ndikimin që ka pasur pandemia Covid-19 në klubet e basketbollit, duke deklaruar se ato janë prekur ekonomikisht nga kjo pandemi, por që përkundër kësaj, janë konsoliduar dhe janë të gatshme për zhvillimin e garave.

Fetahu gjithashtu ka njoftuar se klubet nga Kosovë sivjet nuk janë paraqitur në gara evropiane, derisa ka shtuar se në fund të tetorit ose javën e parë të nëntorit do të fillon Liga Unikë, si liga e parë mbarëkombëtare gjithë-shqiptare të cilën e organizon Federata e Basketbollit të Kosovë dhe ajo e Shqipërisë.

Fetahu: Pandemia ka ndikuar te klubet e basketbollit 

“Klubet e basketbollit të Kosovës janë ndikuar sigurisht nga pandemia, ashtu siç janë ndikuar edhe të gjitha sferat tjera të jetës. Federata e Basketbollit të Kosovës e ka përcjellur me shumë interesim dhe me shumë breng zhvillimin e klubeve dhe ngjarjeve gjatë kësaj kohë të pandemisë. Ajo që duhet thënë është se klubet tani janë konsoliduar, janë forcuar dhe janë të gatshme për t’i zhvilluar garat të cilat po i presin. Edhe klubet e Superligës së femrave janë pothuajse në të njëjtin stad, kjo vërtetë jep shumë impulse pozitive dhe na bënë shumë të lumtur sepse nuk e kemi ditur që diku në pranverën e këtij viti të mbrapsht se si do të na zë vjeshta, por gëzon fakti që klubet janë konsoliduar dhe kanë arritur që të sigurojnë përkrahje dhe besoj se do të jemi të gatshëm për këtë stinor”, tha ai.

Fetahu duke folur për kp, deklaroi se nuk do të lejohet hyrja e tifozëve brenda sallave gjatë zhvillimit të ndeshjeve duke i respektuar vendimet dhe rekomandimet e qeverisë.

Fetahu: Nuk do të lejohen tifozët brenda sallave në ndeshjet e basketbollit

“Për momentin nuk ka tifozë të lejuar, kjo është në bazë të rekomandimeve IKSHP-së dhe vendimeve të qeverisë ku lejohet zhvillimi i garave vetëm me 50 pjesëmarrës maksimumi. Me këtë është limituar madje edhe numri i pjesëmarrësve nga klubet dhe personave zyrtarë dhe ata të cilët shkojnë nga federata për të mbikëqyrur mbarëvajtjen, kështu që për momentin as që flitet për shikues, për tifozë, por flitet për kufizime të cilat na janë bërë në kuptim organizativ. Ajo që është e mirë nga kjo javë është se e kemi zhvilluar ndeshjen e parë pas shtatë muajsh, në fakt i ra që ta kemi ndeshjen e parë pikërisht në datën e shtatë mujorit nga ndërprerja edhe ka shkuar gjithçka mirë, nuk kemi pasur ndonjë telashe”, tha Fetahu.

Ai gjithashtu bëri të ditur se këtë vit nuk janë paraqitur klube që do të marrin pjesë në garat evropiane, por që klubet do të marrin pjesë në ligën mbarëkombëtare e quajtur Liga Unike, e cila u krijuar para një muaji dhe ku marrin pjesë klube nga Kosova dhe Shqipëria.

Fetahu: Sivjet nuk ka pjesëmarrje në garat evropiane, jemi të përqendruar te Liga Unike e Basketbollit

“Në gara evropiane sivjet nuk janë paraqitur klube nga Kosova. Nuk e di nëse quhen ndërkombëtare apo mbarëkombëtare gara të cilën e kemi në kuptim të Ligës Unikë si liga e parë mbarëkombëtare gjithë-shqiptare të cilën e organizojmë ne me Federatën Shqiptare të Basketbollit bashkarisht. Pritet që të fillojë kjo ligë në fund të tetorit ose javën e parë të nëntorit, pak pas fillimit të Superligës sonë... Janë të nominuara katër klubet më të mira nga Kosova dhe katër klubet më të mira nga Shqipëria. Pritet konfirmimi i klubeve nga Shqipëria për shkak se ata ende kanë një telashe për momentin dhe telashja ka të bëjë me kthimin e tifozëve në salla, me lejimin e kthimit në salla, kështu po shpresoj që edhe qeveria shqiptare ta tejkalojë shpejtë këtë dhe të na bëjë konfirmimin përfundimtarë, por ideja është kjo, luajnë ekipet më të mira nga Kosova dhe Shqipëria. Është ligë e cila zhvillohet gjatë gjithë vitit dhe kulminon me final-four. Ndeshjet do të zhvillohen me sistemin vajtje-ardhje, secili ekip nga Kosova, secili ekip nga Shqipëria do ta zhvillojnë garën sipas formatit vajtje-ardhje.”, deklaroi në fund Arben Fetahu për KosvaPress.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat