S’ka kampionat, s’ka as kombëtare, Shqipëria nuk luan dy ndeshjet e Europianit

Basketboll

S’ka kampionat, s’ka as kombëtare, Shqipëria nuk luan dy ndeshjet e Europianit

Më: 13 nëntor 2020 Në ora: 11:37
S’ka kampionat, s’ka as kombëtare, Shqipëria nuk luan dy ndeshjet e Europianit

Kombëtarja e Shqipërisë - femrat në basketboll nuk do të luajë dy ndeshjet e radhës në arenën ndërkombëtare, të vlefshme për eliminatoret e Europianit 2021 (Women Eurobasket 2021). Shqipëria e trajneres Mirza Alibegaj duhej të ishte në fushë këto ditë për sfidat eliminatore të Grupit E, por kombëtarja është tërhequr nga këto dy ndeshje të radhës: Ndaj Turqisë dhe Lituanisë (skuadra e katërt e grupit është Serbia).

Në vendin tonë nuk lejohet zhvillimi i ndeshjeve në ambientet e mbyllura, ndërkohë që kampionati është ndalur që në mars, kur dhe nisi pandemia Covid-19. Edhe pse Federata Shqiptare e Basketbollit ka bërë disa herë kërkesë dhe thirrje te qeveria për të rinisur aktivitetet, përgjigjja ka qenë negative.

Për këtë arsye, duke qenë se nuk lejohen ndeshjet dhe stërvitja, kombëtarja e femrave nuk është grumbulluar dhe nuk do të luajë në dy ndeshjet e radhës, ndaj Turqisë dhe Lituanisë (nëntor 2020).

Nuk dihet nëse këto dy takime do të zhvillohen në një moment të dytë apo Shqipëria do t’i humbasë ato 20-0 në tavolinë. Kombëtarja ka zhvilluar një vit më parë dy ndeshjet e para në grup, të humbura ndaj Lituanisë (108-43) dhe Serbisë (139-34). Ndërkohë që, në shkurt 2021, sipas kalendarit, do të luajë edhe dy përballjet e fundit (4 shkurt ndaj Serbisë dhe 6 shkurt ndaj Turqisë).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat