Hajrizi flet për sfidat ndaj Sllovakisë dhe Islandës

Basketboll

Hajrizi flet për sfidat ndaj Sllovakisë dhe Islandës

Më: 20 nëntor 2020 Në ora: 11:46
Hajrizi flet për sfidat ndaj Sllovakisë dhe Islandës

Basketbollistët e Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë në karantinë, para dy ndeshjeve me Sllovakinë dhe Islandën. Dardanët po stërviten në Marigona Residencë, derisa të hënën do të udhëtojnë drejt Bratisllavës për dy takimet në kuadër të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023.

Basketbollisti i Kosovës, Drilon Hajrizi ka folur për rrjedhën e përgatitjeve dhe dy ndeshjet e nëntorit. “Ne do të kemi edhe dy teste PCR para zhvillimit të ndeshjeve, ku do të mësohet cili do të jetë ekipi i kompletuar për këto dy sfida. Me këtë fond të lojtarëve që jemi momentalisht, ne jemi duke u stërvitur maksimalisht dhe do të mundohemi të japim maksimumin.

Sigurisht se nuk është e lehtë, pasi pandemia ka shkaktuar probleme, jo vetëm tek ne, por në mbarë botën, por besoj se me këso probleme po ballafaqohen edhe skuadrat kundërshtare, edhe pse nuk e kemi 12-shen e tyre”, është shprehur Hajrizi për faqen zyrtare të FBK-së.

Kapiteni i Pejës ka folur edhe për synimet në këto ndeshje. “Ne do të japim maksimumin në këto dy sfida pa marrë parasysh se kush do të luaj. Nëse japim maksimumin, atëherë mund të kemi rezultate pozitive”, është shprehur tutje Hajrizi.

Përballja e parë do të jetë ndaj Sllovakisë më 26 nëntor, kurse pas dy ditësh do të përballen me Islandën.

Kosova nga dy ndeshje, ka shënuar dy fitore, duke mundur Islandën dhe Luksemburgun për të qenë lidere e grupit, kurse në muajin shkurt të vitit të ardhshëm do të përballet me Sllovakinë dhe Luksemburgun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat