Kosova ia pa sherrin pandemisë!

Basketboll

Kosova ia pa sherrin pandemisë!

Nga: Kemajl Goca Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 18:24
Kosova ia pa sherrin pandemisë!

Të rrijmë shtremb dhe të flasim drejtë, koha e pandemisë po sjell kokëçarje dhe telashe të mëdha në të gjitha sportet. 

Veç antisportisti apo kokëkrisuri sot mund të kërkon mrekulli! Ose ai që rri të koftori dhe nuk ka lidhje me sport, por duke pi çaj me kikirika 30 cent, bëhet i mençur, duke pa ëndrra me sy çelur: Po të isha unë, do të bëja mrekullinë! 
Mrekulli në rrethana lufte nuk ka, është normale se dikush bëhet kampion edhe në këto kushte që po jetojmë!

Kombëtarja e Kosovës në basketboll, deshëm apo nuk deshëm, e pranuam apo jo, ia pa sherrin pandemisë!
Kosovës i munguan basketbollistët kryesorë në ndeshjet me Sllovakinë dhe me Islandën, në fakt, ai që e njeh në thelb sportin, do të ishte anormale të kërkon rezultate pozitive në këto takime. Dy humbje dhe të pritshme!

Image

Çdo kombëtare që ka pothuajse gati pesëshen e parë jashtë, është normale që përballet me vështirësi të mëdha! 
Djelmoshat tanë u angazhuan maksimalisht aq sa ditën dhe mundën, gabime bënë shumë, por fundja i luajtën dy ndeshje, që ka mundur shumë lehtë edhe asnjë mos ta luajmë!

Çka nëse kishin dalur më shumë se 5-6 lojtarë të infektuar! Jemi në rrethana të rënda si sport jo vetëm Kosova por tërë globi, kohë mbijetese dhe ndonjëherë edhe rezultati nuk është edhe aq i vlefshëm. 

Kur të mungojnë Dardan Berisha, i infektuar me Covid 19, Lis Shoshi, Gëzim Morina, të lënduar, pa e lënë anash edhe Samir Zekiqin, e ndonjë tjetër, është pothuajse komplet pesëshja e parë!  Kosova duhet përgëzuar që ka arritur të këtë një përbërje edhe në bankën rezervë për këto ndeshje. Kemi shumë raste në hendboll që edhe ndeshjet nuk kanë mundur t’i luajnë në Champions League, përplot të infektuar ose në futboll, Ukraina humbi ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0 nga Zvicra dhe bie në Ligën B.

Ose Bosna Visoko, plot 14 ditë pa stërvitje pastaj stërviti 3 ditë, shkaku i të infektuarve dhe erdhi në Pejë e humbi me rezultat katastrofë nga Besa Famgas në hendboll.  

Po ta kishim Berishën, Shoshin, Morinën, tjetër këngë ishte kënduar në Bratisllavë, por për fat të keq pandemia, ia pamë sherrin! Edhe trajnerin më të mirë në botë, po ta kishim në bankë, e njëjta situatë! Veç budallai mendon se pa lojtarë kryesorë mund të arrish sukses në basketboll apo në hendboll!  Vetëm Dadan Berisha të ishte në fushë, tjetër lojë do të sillej.

Kosova meriton komplimente për këto dy ndeshje, po ashtu edhe Federata e Basketbollit të Kosovës, që diti ta menaxhojë fortë mirë situatën dhe që nuk kishim më shumë të infektuar! Ekspertët në thonjëza mund të thonë çfarë të dojnë, por jemi në rrethana të rënda të pandemisë! Kosova nuk është Amerikë, as Spanjë, as Francë, as Gjermani, as Kroaci, që të ketë me mijëra basketbollistë apo hendbollistë! Fati i zi i yni, pandemia! Na mori në qafë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat