Jeta Zeka: Po përgatitemi për Kupën e Kosovës, që ta sjellim sërish në Prizren 

Basketboll

Jeta Zeka: Po përgatitemi për Kupën e Kosovës, që ta sjellim sërish në Prizren 

Nga: Kemajl Goca Më: 26 janar 2021 Në ora: 18:30
Jeta Zeka: Po përgatitemi për Kupën e Kosovës, që ta sjellim sërish në Prizren 

Si në konkurrencën e meshkujve, po ashtu edhe të femrat, kampionati po bëhet gjithnjë e më interesant në luftë për pozitën e parë. 

Vashat e Bashkimit nga Prizreni kryesojnë me 21 pikë apo 10 fitore e 1 humbje, duke e lënë pas Vëllaznimin me 20 pikë apo me 9 fitore e 2 humbje, ndërsa Prishtina renditet në pozitën e tretë me 18 sosh (7/4) etj.  

Ndër basketbollistet më të mira në vendin tonë, Jeta Zeka, e cila luan me sukses për lideren Bashkimi, tha se edhe përkundër kohë së pandemisë, po e japin maksimumin në secilën sfidë. 

Image

Ajo është e bindur se do ta fitojnë edhe trofeun e Kupës së Kosovës, pastaj edhe titullin e kampiones. Jeta luan në pozitën 3-4, e cila në takimin e fundit shënoi 16 pikë për fitoren e Bashkimit me rezultat 85:74 kundër Penzës nga Peja. 

“Bota sot”:  Sa është vështirë të luash në kohë të pandemisë dhe a mendoni se në këto rrethana po e jepni maksimumin? 

Jeta Zeka: Pavarësisht, situatës me pandeminë, mundohem të jap maksimumin në çdo ndeshje, jo vetëm unë por të gjitha lojtaret e ekipit tonë. Duhet pranuar se nuk është lehtë por ne vazhdojmë përpara duhet respektuar edhe udhëzuesin e Federatës pas kthimit të garave pas një pauze prej shtatë muajve. 

Palestrat janë shumë të ftohta, dhe mungesa më e madhe që vërehet në palestër është ajo e tifozëve dhe nuk është atmosfera si më parë. 

“Bota sot”: Bashkimi është në krye të tabelës, a besoni se pas Superkupës edhe kupa dhe titulli do të vijë në Prizren?
Jeta Zeka:
Sigurisht, që synimi është të mbajmë pozitën aktuale deri në fund të pjesës së rregullt. Triumfi në Superkupë na ka motivuar për të vazhduar rrugën drejt suksesit për ta mbrojtur Kupën e Kosovës dhe për kampionat.

Mirëpo, të gjitha ekipet janë forcuar me lojtare të huaja dhe nuk do të jetë lehtë. Përfundimisht, niveli i ligës do të jetë më i lart dhe synimi i klubit është që të marrim tre trofetë. Do të shkojmë ndeshje pas ndeshjeje dhe do të japim gjithçka nga vetja për të arritur synimin.

“Bota sot”: Çfarë e dallon Bashkimin nga ekipet tjera?
Jeta Zeka:
Bashkimi në vitet e fundit ka ndryshuar shumë, së fundi në radhët e veta ka sjellë lojtaret më të mira dhe trajnerë të huaj, që është një risi në basketbollin e femrave pas një periudhe të gjatë.

“Bota sot”: Sa jeni të përgatitur për Kupë, ku i sheh përparësitë e ekipit Bashkimi?
Jeta Zeka:
Jemi duke u përgatitur për Kupën e Kosovës maksimalisht sikurse për çdo ndeshje tjetër. Besoj që jemi të gatshme edhe për këtë sfidë,  që së bashku natyrisht synojmë ta mbrojmë kupën e fituar në vitin 2020.

“Bota sot”: Synimet e Jetës?
Jeta Zeka:
Synimet e mia janë të vazhdoj me paraqitje edhe më të mira dhe si përforcim ta ndihmoj klubin më arritjen drejtë sukseseve  të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat