Avni Ponari flet për gjendjen e basketbollit shqiptar, raportet me FBK-në dhe kur pritet të fillojë Liga Unike Shqipëri-Kosovë

Basketboll

Avni Ponari flet për gjendjen e basketbollit shqiptar, raportet me FBK-në dhe kur pritet të fillojë Liga Unike Shqipëri-Kosovë

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 29 janar 2021 Në ora: 18:49
Avno Ponari, foto worldbestnews

Basketbolli shqiptar më në fund sheh dritë pas izolimit pothuajse njëvjeçar për shkak të masave që u aplikuan nga Qeveria Shqiptare në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë për të parandaluar armikun e padukshëm, Covid 19. 

Ministria e Shëndetësisë Shqiptare, dje (me 28 janar) dha leje që sportet me dorë të fillojnë stërvitjet dhe t’i zhvillojnë garat në Kampionatin Kombëtar dhe në përgjithësi. 

Kjo i gëzoi pamasë të gjitha sportet me dorë në Shqipëri, pasi që ishin i vetmi vend në botë që nuk i lejonte aktivitetet sportive me dorë. Padyshim se nga sportet me të dëmtuar është basketbolli, për faktin se u penalizua në të gjitha anët, e para ende nuk u konkretizua në praktikë fillimi i Ligës Unike Shqipëri – Kosovë, po ashtu iu la pasoja të mëdha edhe në rrafshin ndërkombëtar.

Image

Avni Ponari dhe Arben Fetahu

Personalitet që u angazhua më së shumti që të dalin sa më parë nga ky izolim apo që t’ju jepet leja për zhvillimin e aktiviteteve të sporteve me dorë, është Avni Ponari, president i Federatës së Basketbollit Shqiptar.

Në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, Ponari flet se sa u dëmtua basketbolli shqiptar, për raportet me Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe kur ka gjasa që të fillojë Liga Unike Shqipëri-Kosovë 

“Bota sot”: Z. Ponari, cila është gjendja e basketbollit në shtetin shqiptar, kur dihet se nuk ka pasur gara as në pranverë dhe as në vjeshtën e vitit që e lamë pas, por fatmirësisht (të enjten) me 28 janar, Ministria e Shëndetësisë Shqiptare, lejon stërvitjet për klubet dhe zhvillimin e garave?

Avni Ponari: Përshëndetje dhe faleminderit për interesin ndaj basketbollit, sportit elitar, që po na mungon të gjithëve. Është vërtetë që pandemia paralizoi jetën dhe veprimtarinë e gjithkujt në mbarë globin, por rimëkëmbja ka filluar, ndaj dhe sporti në Shqipëri, si në çdo vend të botës tashmë, edhe basketbolli në Shqipëri e mori dritën jeshile. 

Image

Avni Ponari

Një gëzim i natyrshëm ne të gjithë komunitetin e basketbollit. 

Pas shumë kërkesave zyrtare, bisedave personale, intervista e së fundmi dy letrat e fundit dërguar nga FIBA Europe, ku i kërkohet autoriteteve të larta shtetërore, t’i besojnë FSHB-së për organizimin e garave sipas protokolleve dhe kushteve pandemike. Basketbolli  këtë javë do pushtoje parketin e sallave sportive. Tani barra bie mbi federatë për organizimin e aktiviteteve  dhe mbrojtjen e shëndetit të sportistëve dhe stafeve drejtuese kudo në të gjithë territorin duke respektuar me fanatizëm rregullat e miratuara anti covid.

“Bota sot”: A është dëmtuar basketbolli shqiptar edhe në rrafshin ndërkombëtar?
Avni Ponari:
Padiskutim që po, për shkak të mos paraqitjes së ekipit të femrave në raundin e dytë të Eurobasket Femra, duke mos na lejuar grumbullimin e ekipeve kombëtare, edhe pse kishim kërkuar që në muajin gusht, lejen e posaçme për ekipet kombëtare, na penalizoi duke na përjashtuar nga kjo garë deri në fund. Përjashtimi shoqërohet gjithmonë edhe me penalitete financiare, për të cilën FIBA na toleroi, duke mirëkuptuar gjendjen tonë, dhe pas një lobimi të gjatë, personal timin, si anëtar i komisionit të financave te FIBA Europe, që kjo gjë të mos aplikohej. Kjo gjobë në këto gara i kalon 100 mije euro.

Afërsisht sa buxheti vjetor i FSHB-së.

Po ashtu, ekipi i meshkujve udhëtoi drejt Portugalisë, në mënyrë pothuaj klandestine, pa bujë mediatike për grumbullimin, thjesht dhe vetëm për të siguruar një pjesëmarrje në veprimtaritë e deklaruara dhe për të përmbushur detyrimin ndaj FIBA.

Image

Një ndeshje në Kampionatin Shqiptar

Ndërprerja e aktiviteteve europiane, me ekipet kombëtare të moshave, ka këputur një punë disavjeçare, të cilën e kishim ngritur më shumë mund dhe sakrifica financiare dhe njerëzore.

Gjithashtu, në muajin tetor të vitit 2020 ishte vendosur nga FIBA, që të zhvillohej Konventa “U14 Get Together”, aktivitet që do të mikpriste në Shqipëri një delegacion rreth 100 persona, trajnerë dhe menaxhere sportive të kategorisë U14, nga e gjithë Europa.

Ky projekt është akoma në fuqi, për tetorin e 2021. Shpresojmë deri atëherë të jemi të gjithë të lirë.

“Bota sot”: Liga Unike Shqipëri – Kosovë, ende nuk po realizohet në praktikë, marrëveshje që u nënshkrua (me 10 shtator) në verën e vitit 2020 mes jush dhe presidentit të FBK-së, z. Arben Fetahu. Megjithatë kur shpresoni se do të luhet ndeshja e parë historike e Ligës Unike?

Avni Ponari: E kemi pritur me padurim realizimin e këtij projekti, i cili deri tani është i nënshkruar por i pakonkretizuar në fushë. Strukturat e kësaj lige janë tashmë të konsoliduara në bashkëpunim ndërmjet dy federatave. Pritet vetëm që të lejohet aktiviteti basketbollistik, për të cilin ne jemi të gatshëm dhe të angazhuar ta çojmë këtë Ligë drejt suksesit të parashikuar.

Image

Ju siguroj që do të jetë me të vërtetë historike, pasi ekziston vullneti dhe dëshira e mirë për ta çuar këtë Ligë në vendin ku e meriton, të jetë UNIKE. Për mua merr vlerë më shumë sepse kjo ligë nuk u përkrahë nga vendete fqinje për këtë është edhe më e mirë.

“Bota sot”: Cilat janë raportet mes Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës?
Avni Ponari:
Raportet midis federatave simotra, janë përtej atyre zyrtare, le të themi  familjare. Në kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me drejtuesit dhe stafin e FBK, por dua të theksoj se kjo marrëdhënie është gjithashtu e mirë dhe e shëndoshë edhe me federatat e tjera kombëtare, anëtare të FIBA.

Në letrën e tij Kamil Novak- Sekretari i Përgjithshëm i FIBA Europe (drejtor ekzekutiv) përmend një fakt interesant, duke cituar ...“federatat anëtare te FIBA Europe kanë një konsideratë të lartë për atë të Shqipërisë, për faktin se në kushtet që ajo realizon veprimtarinë dhe përpjekjet që bën, janë të jashtëzakonshme”...

“Bota sot”: Disa basketbollistë nga Shqipëria po shtegtojnë në klubet e Kosovës, një zgjidhje e duhur për momentin?
Avni Ponari:
Për momentin do thoja që po, pasi forma sportive e lojtarëve, ka prioritet si për ata, ashtu edhe për ekipet ku ato aderojnë, është mirë të aktivizohen. Po ashtu edhe financat janë të domosdoshme, për të mos thënë primare për të jetuar, por duke diskutuar në aspektin sportiv, prioritet merr përformanca, përgatitja dhe të qenit në aktivitet. Shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa ai fizik.

Urojmë që të rikthehen me eksperiencën e tyre edhe më të fortë, për të motivuar edhe pjesën tjetër të lojtarëve që e kanë pasur të pamundur për tu aktivizuar. Ndoshta ne duhet të kemi edhe disa rregulla të brendshme midis dy federatave që të na bëjnë me fleksibël me njëra tjetrën duke konsideruar te dy federatat si një federatë sepse në fakt ashtu jemi.

“Bota sot”: A ka gjasa të shtyhet Liga Unike deri në vjeshtë, për shkak se klubet në Shqipëri nuk janë të kompletuara?
Avni Ponari:
Unë mendoj që jo dhe për këtë do të punojmë fortë, unë mendoj se është më mirë ta zhvillojmë Ligën Unike se sa   kampionatet lokale për kushtet që jemi, prandaj do këmbëngul fort në organizimin sa më mirë të aktivitetit dhe në tërësi të kësaj lige   që mbart në vete vlera të rëndësishme.

Ne nesër kemi edhe asamblenë stutore dhe shume gjëra do i përcaktojmë saktë aty për të shkuar atje ku duam në interes të basketbollit dhe sportdashësve që po e presin më shumë interes.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat