Ja kur starton Kampionati Shqiptar

Basketboll

Ja kur starton Kampionati Shqiptar

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 11:36
Ja kur starton Kampionati Shqiptar

Federata Shqiptare e Basketbollit zhvilloi të shtunën më 30 janar asamblenë statutore duke miratuar statutin e ri të FSHB-së, për të cilin 22 shoqatat votuan pro.

Teuta me anë të presidentit Arqile Gorea ishte kundër, ndërsa shoqata Tirana Eagles abstenoi. Kreu i durrsakëve kërkoi që statuti të votohej nen për nen, ku secili të jepte mendimin e tij për përmirësimin, por kërkesa e tij nuk u pranua, teksa Federata Shqiptare e Basketbolli bëri të ditur se në projektstatut janë shqyrtuar të gjitha propozimet e klubeve.

Një prej pikave më të diskutuara që ka hapur jo pak debate e polemika në ambientet e basketbollit ka të bëjë me drejtësinë sportive, çështje që nuk është zgjidhur as me statutin e ri. Siç dihet në FSHB ekziston komisioni i disiplinës por nuk ka një Komision Apeli, që të marrë në shqyrtim ankimimet. Pra të gjitha pretendimet e klubeve dhe lojtarëve do të vijojnë të shqyrtohen në Komiteti Ekzekutiv, organ që ka detyra ekzekutive dhe jo gjyqësore. Duket disi e çuditshme që shumica e shoqatave vijojnë ta pranojnë këtë fakt dhe të votojnë pro një statuti me një nen të tillë.

Tashmë statuti i ri do të kalojë për miratim në ministri dhe gjykatë dhe pas këtyre etapave, Federata Shqiptare e Basketbollit do të caktojë edhe datën e asamblesë së përgjithshme zgjedhore. Asambleja e zhvilluar në hotel “Tirana International” filloi me një minutë heshtje në shenjë nderimi për ndarjen nga jeta gjatë këtyre muajve të disa prej emrave të shquar  të sportit të koshit, si Viron Toska, Rudlof Cici, Faruk Rizvanolli, Edison Sinjari dhe Genci Kadilli.

Pas bllokimit 11-mujor nga qeveria, siç dihet disa ditë më parë basketbollit iu hap drita jeshile për t’u rikthyer në parket dhe datat e startit të sezonit ishte një tjetër temë e diskutuar në asamble. Duke parë edhe ndeshjet e përfaqësues të meshkujve për eliminatoret e “Europianit 2023”, sezonin pritet që ta ngrejë siparin jo më parë se 1 marsi. Ndërkohë do të jenë klubet që do të vendosin për formulën e kampionatit, duke paraqitur të gjitha propozimet e tyre. Sigurisht që ky sezon do të jetë më i reduktuar, pasi hapësira kohore është shumë e shkurtër, teksa mbetet për t’u parë se çfarë formule do të zgjedhin shoqatat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat