Durant “i jep krahë” Brooklyn-it

Basketboll

Durant “i jep krahë” Brooklyn-it

Më: 14 shkurt 2021 Në ora: 16:19
Durant “i jep krahë” Brooklyn-it

Kevin Durant u rikthye nga dëmtimi për të udhëhequr Brooklyn Nets në një fitore të madhe ndaj Golden State Warriors. Steph Curry me shokë kishin fituar plot tetë ndeshje rresht ndaj Nets, megjithatë gjërat duket se kanë ndryshuar ndjeshëm në këtë përballje në këto 12 muajt e fundit, madje ekipi i Brooklyn-it ia doli mbanë për të regjistruar fitoren e parë brenda në Kaliforni ndaj Warriors pas 7 humbjeve radhazi.

KD humbi tri sfidat e mëparshme të Nets me Philadelphia 76ers, Detroit Pistons dhe Indiana Pacers, pasi qëndroi i izoluar në regjim karantine për shkak të pandemisë së koronavirusit, megjithatë 32-vjeçari nga Washington D.C. u kthye në kohë për të ndihmuar ekipin e tij për të mposhtur Golden State brenda në San Francisco, me plot 17 pikë diferencë. Në “Chase Center” ndeshja pati rivalitet vetëm në periodën hapëse, sepse më pas ekipi i drejtuar nga trajneri i ri kanadez Steve Nash u shkëput dalëngadalë për të krijuar edhe një diferencë të madhe pikësh.

Kështu Brooklyn-i shkoi në interval me epërsinë 66-51, ndërsa në 12’ e tretë Nets fluturuan dy herë përkohësisht deri në +28. Në vazhdim miqtë ulën ndjeshëm ritmin dhe menduan më së shumti për të administruar avantazhin me lojtarët e stolit, duke mbyllur gjithë takimin me fitoren e thellë 134-117.

Fitorja e tretë radhazi për Nets gjatë vitit të fundit ndaj Warriors, të cilët kanë fituar tre tituj në 6 sezonet e fundit në NBA. Gjatë kësaj periudhe franchise kalifornian ka regjistruar plot pesë finale rresht, megjithatë në dy prej trofeve Larry O’Brien ka një pjesë të rëndësishme pikërisht Kevin Durant, i cili për më tepër në vitet 2017 e 2018 u shpall edhe si MVP, pra lojtari më i vlefshëm i finaleve.

KD luajti për tri sezone me skuadrën e drejtuar nga trajneri Steve Kerr, derisa këputi tendinën e Akilit, pikërisht në finalet e vitit 2019, për t’u larguar më pas drejt Brooklyn-it. Sulmuesi i famshëm kryeqytetas, i cili është kurorëzuar plot 4 herë me çmimin e pikëshënuesit më të mirë në NBA ndihmoi ekipin e tij me 20 pikë, 5 topa të rikuperuar dhe 6 asiste, ndërkohë shoku i tij i ekipit, organizatori Kyrie Irving, në diçka më tepër se 33’ lojë realizoi 23 pikë gjithsej.

Nets e përfunduan takimin me plot gjashtë lojtarë në dopio shifra. Kështu James Harden shënoi 19 pikë, Bruce Brown 18, Joe Harris 15 dhe Jeff Green 14, gjithsesi basketbollisti më i mirë në parket ishte pa dyshim Steph Curry, që e mbylli ndeshjen në kuotën e 27 pikëve. 32-vjeçari, i cili ka lindur në qytetin e Akronit, në Ohio, njësoj si LeBron James, tani renditet i dyti në listën e pikëshënuesve më të mirë të sezonit në National Basketball Association. Në këtë lloj klasifikimi të vecantë vazhdon të kryesojë lojtari i Washington Wizards, Bradley Beal, me mesataren 32,8 pikë për ndeshje, ndërsa Steph Curry ndjek nga shumë pranë me mesataren 29,9 pikë për çdo takim.

Me këtë sukses Nets u barazuan në vendin e dytë në Lindje për nga numri i fitoreve me Milwaukee Bucks 16, gjithsesi Brooklyn-i ka pësuar dy humbje më shumë dhe natyrisht ka zhvilluar edhe dy ndeshje më tepër se sa franchise nga Wisconsin.

Në këtë konferencë skuadrës së Philadelphia 76ers nuk i mjaftuan 35 pikët e shënuara nga Joel Embiid dhe franchise nga Pennsylvania u mund në Arizonë, në “Talking Stick Resort Arena” përpara 1652 spektatorëve me rezultatin 120-111 nga Phoenix Suns, te të cilët shkëlqeu Devin Booker me 36 pikë në 34’ lojë. Fitorja e 8 në 9 sfidat e fundit për ekipin e Monty Williams, që tashmë renditet në vendin e katërt në Perëndim, me 16 fitore e 9 humbje, ndërsa Phila në krahun tjetër, që drejtohet nga veterani Doc Rivers, vazhdon të ruajë kryesimin në Konferencën e Lindjes, me 18 fitore e 9 humbje.

Ekipi  më në formë është pa dyshim formacioni i Utah Jazz, që siguroi fitoren e 18 në 19 takimet e fundit të sezonit të rregullt, teksa mposhti brenda në “Vivint Smart Home Arena” përpara 3.902 spektatorëve nënkampionët e Miami Heat, me shifrat 112-94. Falë këtij suksesi franchise nga Salt Lake City kryeson në Perëndim me 22 fitore e 5 humbje, pra thjesht për një fitore më shumë se kampionët në fuqi të Los Angeles Lakers, të cilët Jazz do të kenë privilegjin për t’i pritur në shtëpi pas vetëm 10 ditësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat