Lakers në krizë rezultatesh

Basketboll

Lakers në krizë rezultatesh

Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 11:17
Lakers në krizë rezultatesh

Moment jo për kampionët në fuqi të NBA. Los Angeles Lakers pësuan humbjen e 3-të rresht dhe të 40-ën në 5 ndeshjet e fundit teksa u mposhtën pas kohës shtesë nga Washington Wizards me rezultatin 124-127 brenda në Staples Center.

Një humbje që djeg kjo pasi i zbriti Lakers-at në vendin e 3-të në Konferencën e Perëndimit pas Utah Jazz dhe kushërinjëve të Los Angeles Clippers. Vijon momenti i artë ndërkohë për skuadrën kryeqytease me Wizards që morën fitoren e 5-të radhazi. Diferencën në sfidën e Staples Center e bëri dyshja Bradley Beal-Rusell Westbrook. I pari koleksionoi në total 33 pikë 7 rebound dhe 6 asiste, ndërkohë që Westbrook iu afrua shumë triple-double me 32 pikë 14 rikuperime poshtë tabelës dhe 9 pasime deçizive.

LeBron James nuk mundi të evitonte i vetëm humbjen e La Lakers edhe pse arriti të koleksiononte 29 pikë 9 rebound dhe 13 asiste, me kalifornianët që ndjenë mungesën e dy yjeve të tjerë të skuadrës Antony Davis dhe gjermanit Denis Schroder.

Nuk njeh limite në këtë sezon Utah Jazz që mori fitoren e 21-të në 23 ndeshjet e fundit, pasi mposhti lehtësisht në Salt Lake City me rezultatin 132-110 Charlotte Hornets.

Tre periodat e para ishin thuajse të baraspeshuar ndërkohë që diferencën Utah e bëri në periodën e 4-t në të cilën shënoi 21 pikë më shumë se Charlotte duke regjistruar fitoren e 25-të në 31 takime, ecuri kjo që e mban në krye të Konferencës së Perëndimit. Mitchell me 23 pikë ishte më i miri mbi parket për Utah. U rikthye menjëherë te fitorja edhe Dallas Mavericks që mposhti në American Airlines Center Memphis Grizzlies me rezultatin 102-92. Hardaway dhe Luka Doncic me 50 pikë që koleksionuan të dy sëbashku udhëhoqën Mavericks drejt suksesit të 5-të në 6 ndeshjet e fundit.

Vijon rënia e lirë për Houston Rockets që pësoi humbjen e 8-të rresht pasi u mposht edhe nga Chicago Bulls brenda në Toyota Center në Texas me rezultatin e thellë 100-120. White dhe Zac LaVine me 24 dhe 21 për kokë ishin dy më të mirët mbi parket për Bulls-at.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat