Artan Kurti - lojtar i dalluar në Gjeneratën e Republikës, kujton një detaj interesant 

Basketboll

Artan Kurti - lojtar i dalluar në Gjeneratën e Republikës, kujton një detaj interesant 

Nga: Kemajl Goca Më: 15 prill 2021 Në ora: 15:01
Artan Kurti - lojtar i dalluar në Gjeneratën e Republikës, kujton një detaj interesant 

Sportistët ishin të bashkuar si asnjëherë më parë në fillim të viteve të 90-ta, vepruan si një ushtri, duke i zhvilluar garat në kuadër të Republikës së Kosovës dhe i rezistuan fuqishëm regjimit serb. 

Artan Kurti i takon Gjeneratës së Republikës dhe ka qenë ndër basketbollistët më të dalluar të asaj periudhe, duke e veshur me sukses fanellën e klubit me renome Bashkimi nga Prizreni në vitet e 90-ta. 

Kurti si shumë sportistë tjerë, përjetoi vitet më të vështira të karrierës si sportist, sepse iu mohua e drejta që të stërvitet dhe të luante në palestrat sportive, që u ndërtuan me djersën e popullit shqiptar, pasi ato ishin të uzurpuara nga pushtuesi serb për 9 vite rresht. Ai ishte i detyruar me sportistët shqiptarë që të lozte në fusha me beton dhe salla të improvizuara, edhe aty të përndjekur, kërcënuar e rrahur nga milicia serbe.  

Ai kujton një detaj interesant, se si udhëtonin nëpër ndeshje, duke u fshehur në mënyra të ndryshme.  

“Me kujtohet kur udhëtonim duhej t’i veshim fanellat e lojës nën rroba, që mos ta na hetonin milicia serbe”, tregon Kurti për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Kurti nuk kurseu asgjë nga vetja në shërbim të basketbollit dhe sportit në përgjithësi, por së bashku me mijëra sportistë iu kundërvunë deri në pikën e fundit agresorit serb. 

Ai pas luftës karrierën si basketbollist aktiv e ka vazhduar deri në vitin 2012, në KB Bashkimi, KB Peja dhe KB Ylli. 

Sot është anëtar i Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe njihet si një nga personalitetet më të respektuara jo vetëm në botën sportive. 

Një personalitet që nuk u ndal asnjëherë në fushëveprimin sportiv, sidomos në vitet më të rënda, kur kërcënimet ishin nga më të llojllojshme të regjimit kriminal serb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat