​Takim me rëndësi FBK-KOK

Basketboll

​Takim me rëndësi FBK-KOK

Më: 21 prill 2021 Në ora: 17:22
Foto nga vendi i ngjarjes

Të mërkurën në zyrat e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, kanë pritur në një takim Presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqin, dy nënkryetarët e KOK-ut, Gazmend Maxhunin e Milaim Kelmendin, si dhe Këshilltarin e Presidentit të KOK-ut, Besim Alitin.

Fetahu e ka njoftuar Krasniqin për aktivitetet e FBK-së për vitin 2021, e në veçanti për formalizimin e sistemit të edukimit të trajnerëve dhe në këtë aspekt ka thënë se ndihmë të madhe do të mund të kishte dhënë edhe KOK-u si institucioni më i lartë i sportit në vendin tonë. Gjithashtu Fetahu me theks të veçantë ka përmendur edhe një nga objektivat strategjike të FBK-së për vitet 2021-2025, "Femrat në Basketboll", duke thënë se për herë të parë është formuar Përfaqësuesja A e Femrave, që gjatë verës do të marrë pjesë në FIBA Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla në Qipro. Për këtë, FBK ka kërkuar mbështetje nga KOK-u nëpërmjet programit të Solidaritetit Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Drejtuesit e lartë të FBK-së po ashtu kanë premtuar vazhdimin e bashkëpunimit me Komitetin Olimpik të Kosovës, si një institucion shumë i rëndësishëm në zhvillimin e sportit në vendin tonë.

Në anën tjetër, numri një i KOK-ut, Ismet Krasniqi, e ka përgëzuar Fetahun për punën e tij dhe të Federatës së Basketbollit të Kosovës, si dhe e ka vlerësuar FBK-në si partner të fuqishëm në zhvillimin e sportit në Kosovë. Krasniqi premtoi përkrahje për edukimin e trajnerëve të basketbollit, duke theksuar se, Bordi i KOK-ut shumë shpejt do të dalë me një vendim të krijimit të Akademisë Olimpike dhe premtoi përkrahje nga KOK-u për Federatën e Basketbollit të Kosovës, si dhe Federatat tjera Sportive në vendin tonë.

Krasniqi po ashtu premtoi se, bashkëpunimi mes FBK-së dhe KOK-ut do të thellohet edhe më shumë në të ardhmen nëpërmjet projekteve të ndryshme të përbashkëta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat