Agron Berisha - lojtar i spikatur në Gjeneratën e Republikës: Mbi 200 policë serbë na bllokuan! 

Basketboll

Agron Berisha - lojtar i spikatur në Gjeneratën e Republikës: Mbi 200 policë serbë na bllokuan! 

Nga: Kemajl Goca Më: 5 maj 2021 Në ora: 18:31
Agron Berisha

Sportistët shqiptarë përjetuan tortura të llojllojshme në vitet e 90-ta nga regjimi kriminal serb.

Të jesh sportist në ato vite ishte njësoj sikur të nisesh në vijën e parë të frontit kundër agresorit serb. Vetëm fanella nëse të zbulohej, torturat ishin më çnjerëzore e deri te arrestimi dhe burgosja.

Agron Berisha i takon Gjeneratës së Republikës dhe ka qenë prej basketbollistëve më të mirë, që me sukses veshi fanellën e Yllit nga Suhareka.

Berisha veproi si shumë sportistë të tjerë, duke mos u ndalur asnjëherë përkundër kërcënimeve që vinin nga sigurimi shtetëror i pushtuesit serb

Ai kontriboi për basketbollin dhe sportin në përgjithësi dhe ishte i gatshëm edhe të vdes por asnjëherë që të përkulet para falangave serbe. 

“Secila lojë ka qenë rast në veti. Asnjëherë s’ka pas siguri, shumë raste ka pas të rënda.

Në Mitrovicë 200 policë kanë hyrë në fushë, aty na kanë blloku të gjithëve, kemi qenë gati krejt ekipet, se ishin dy lojë.

Ne kemi qenë duke pritur me zhvilluar lojë. Kur kemi dal prej derës me kondak në kokë na sjellshin. Kanë burgos plot aty. Më se keqi e kanë pësuar referët”, tregon Berisha për gazetën kombëtare “Bota sot”.  

Ai tregon se edhe ku i kanë zhvilluar takimet me Yllin. 

“Lojët i kemi zhvilluar si vendas herë në Prizren herë në Pejë, ajo ka qenë më e vështira udhëtimi, ndalesa nëpër punkte sepse me gjet një element, top apo diçka sportive menjëherë ushtronin dhunë besa edhe të merrnin me vete”, kujton ato kohëra të rënda.

Ish playmakeri më i mirë në Kosovë, tregon edhe një detaj interesant: “Një herë e kemi organizuar një lojë miqësore në vitin 1997 në Suharekë dhe jashtë në terren sportiv, u patën mbledhë mbi 2000 vetë, të hënën gjithë ekipi në stacion policor.

Jemi ekip që ka shumë dëshmorë, kryetari i klubit Sedat Berisha, drejtori Ruzhdi Krasniqi, basketbollist dhe basketbolliste janë vra gjatë luftës, Dafina Berisha, Majlinda Berisha, Bujar Berisha, Florian Berisha, familja Berisha masakra që u bë aty, plus një basketbollist ka vdekur duke u larguar nga Kosova, Artan Dauti ka qenë i Ferizajt, në një ndeshje diku afër Hungarisë”.

Berisha ka luajtur edhe në vitet e pasluftës, ndërsa në vitin 2001 ka pasur mesataren e pikëve për ndeshje 31.7. 

Ai karrierën aktive e ka përfunduar në vitin 2005, ndërsa sot është drejtor sportiv i KB Golden Eagle Ylli, me të cilën janë kampion i parë i Ligës Unike Kosovë-Shqipëri, janë në finale të Kampionatit të Kosovës dhe ishin finalist i Kupës së Kosovës, klub që po e shijon vitin me të artë në histori.

“Një Kupë të Ligës Unike, finalja e kupës së Kosovës, tash finalja e Kampionatit, që presim me kurorëzuar me titullin e parë në historinë më të re të shtetit të Kosovës, që aq shumë i ka dhënë ky klub”, përfundon Berisha.

Ish basketbollisti i spikatur, është krenar që i takoi gjeneratës së sakrificës dhe iu kundërvunë fuqishëm armikut shekullor, pushtuesit serb.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat