Nexhat Ramadani - basketbollist e veprimtar në Gjeneratën e Republikës, tregon kush u arrestua dhe si e mundën Prishtinën

Basketboll

Nexhat Ramadani - basketbollist e veprimtar në Gjeneratën e Republikës, tregon kush u arrestua dhe si e mundën Prishtinën

Nga: Kemajl Goca Më: 7 maj 2021 Në ora: 18:11
Nexhat Ramadani

Basketbolli si çdo sport tjetër u ballafaqua me peripeci të shumta në vitet e 90-ta, sidomos me agresionin e regjimit serb.

Sportistët dhe veprimtarët sportivë, së bashku me donatorët, po ashtu drejtuesit e federatave sportive, ishin para sprovave të mëdha, se si të mbahet gjallë sporti në ato vite, në fusha të improvizuara. 

Stadiumet dhe palestrat sportive u uzurpuan nga pushtuesi serb, sportistët shqiptar u dëbuan në rrugë. 

Image

KB Drita, kampion 1996-1997

Nexhat Ramadani i takon Gjeneratës së Republikës dhe ka qenë basketbollist e donator i shquar në klubin e basketbollit Drita nga Gjilani, me të cilën doli kampion i fundit në vitet e kohës së okupimit (1997). 

Ramadani si çdo sportist tjetër u ballafaqua me probleme të shumta, kërcënime të llojeve të ndryshme nga milicia serbe. 

Ai në një rrëfim të tij tregon të gjitha telashet që u ballafaqua, që nga ikja në Zvicër për shkak se e kërkonin në shërbimin ushtarak ish jugosllav, si i pruri në Dritë Artan Mehmetin, Bekim Maxhunin, Eroll Pepiqin, Pal Sylajn, Arben Bislimin, Safet Gashin, si e mposhti Prishtinën dhe çfarë shkruante në pllakata para ndeshjes, si dhe si u maltretua Azem Hoxha dhe çfarë thotë për Tajar Rifatin!    

“Pas ndarjes prej sportit të ish Jugosllavisë, ne dikur në shtator të viti 1991 e mbajtëm kuvendin dhe formuam KB Dritën. 

Po në këtë vit pasi e kreva shkollën e mesme, me 3 nëntor të vitit 1991 mu deshtë me lëshuar Kosovën, pasi me erdhi thirrja për shërbim ushtarak. 

Image

Unë vazhdimisht isha në kontakt me klubin dhe e ndihmoja prej Zvicrës, me topa dhe mjete. Unë qëndrova në Zvicër deri me 25 mars të vitit 1992 dhe u ktheva në Kosovë.  

Me të kthyer në Kosovë menjëherë u angazhova në klub si lojtar dhe donator me aq sa kisha mundësi. Ne këtë vite na u afrua një donator me emrin Sahit Vokshi dhe ai na ndihmonte sepse liga zhvillonte aktivitetet në formë të turneve, morën  pjesë nga katër ekipe dhe të gjitha ekipet drekën e kishin të hequr nga donatori ynë. 

Ai na ndihmoj deri në vitin 1994 kur u tërhoq dhe me tërheqjen e tij barra me mbeti mua”, tregon Ramadani për gazetën kombëtare “Bota sot”!
Më tej tregon se si i bëri transferet e para në periudhën më të vështirë të ekzistimit të sportit të Kosovës.   

“Po në këtë vit unë e bëj transferin e tre lojtarëve nga KB Prishtina (Arben Bislimin e riktheva në Gjilan, pasi kishte shkuar në Prishtinë, si dhe Safet Gashi dhe Pal Syla, i cili e luajti një lojë dhe u deshtë me emigruar në Gjermani), ky ishte transferi i parë në FBK që u bë më pare në këtë sezon 1994/95 dhe i zhvillonim ndeshjet në shkollën fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan”, nënvizoi ai.  

Telashe edhe me zhvillimin e ndeshjeve. “Në fund të kampionatit e kishim lojën me KB Ylli, ne ishim si vendas ku neve nuk na u mundësua shkolla që të zhvillojmë këtë ndeshje, e cila ishte shumë e vlefshme për ne sepse nëse fitonim shkonim në play-off. Ne e caktuam lojën që si vendas ta luajmë në Mitrovicë por ndeshjen nuk mundem ta zhvillojmë, pasi ne nuk arritëm me kohë në palestër dhe e humbëm me rezultat zyrtar 0:20”, Ramadani kujton ndeshjen e humbur.  Po këtë ditë ndodhi edhe më e keqja, policia serbe futen në sallë dhe ndërpresin ndeshjen. 

“Po në të njëjtën ditë u zhvillua ndeshja ndërmjet KB Trepça dhe KB Prishtina, të cilën unë e mbaja procesverbalin e kësaj ndeshje. 
Vëzhgues ishte i ndjeri Tajar Rifati dhe referët Azem Hoxha e nuk po me kujtohet referi i dytë, u zhvillua pjesa e parë dhe shkuam në pushime.

Me të filluar pjesa e dytë erdhën 200 policë dhe hyjnë në palestër, ne u fshehëm procesverbalin dhe u ngritëm në këmbë, policia i arrestoj referët e ndeshjes dhe kryetarin e KB Trepça. 

Pastaj dolëm prej palestrës, unë shkova e mora veturën dhe u nisa me shkuar mi marr lojtarët tanë, me udhëtuar për në Gjilan. 
Gjatë rrugës vjen një patrullë e policisë dhe me ndaloj, me futen në veturë ku ishin dy policë dhe mbrapa ishte referi Azem Hoxha nga Prizreni. 

Shkuam deri të vetura e Azemit, ai mi marr dokumentet e unë e lutesha policin që të me lëshoj. Ai me tha: “Jo”. Edhe u nisem prej veturës së Azemit kur u afruam të vetura ime për fat të mirë mu me liruan”, tregon Ramadani historinë e vështirë të sportit në vitet e 90-ta.

“Në sezonin 1995/96, zhvillohej një ndeshje e basketbollit në Pejë në mes ekipit të parë të Kosovës dhe ekipit të dytë, ku në ekipin e dytë luajta edhe unë. Në këtë ditë dola dhe bisedova me Eroll Pepiqin e Artan Mehmetin për mundësinë e transferit në KB Drita dhe u morëm vesh që ata të jenë pjesë e skuadrës tonë për sezonin 1996/97. 

Me t’u kthyer në Gjilan në bisedë me Ergin Sherifin, me të cilin e kemi pas barrën kryesore të klubit, në bisedë me të vendosëm që ta formojmë kryesinë e klubit, që nuk e kishim në atëkohë dhe e bëmë kryesinë, kryetar e zgjodhën Besnik Bekteshi dhe anëtarët e kryesisë. 
Me zgjedhjen e kryesisë me thërret në telefon Artani dhe me thotë se është kthyer në Kosovë Bekim Maxhuni. “A po doni me bisedu me ta?”.

Unë e informova kryesinë dhe biseduam me ta, kështu që edhe Bekimi u bë pjesë e klubit tonë, ku në këtë sezon në finale luajtëm me KB Prishtinën, e cila e kishte përparësinë e terrenit, pasi e kishte  zërë vendin e parë gjatë kampionatit. Në ndeshjen e parë fitoj Prishtina, kurse ne fituam në Gjilan dhe loja e tretë zhvillohej në Prishtinë, ku palestra ishte e mbushur me plot plakata të Prishtinës – kampion! Në fund e mposhtëm Prishtinën dhe u shpallëm kampion e unë si kapiten e ngrita trofeun. Pas lojës kemi pas problem nga shikuesit e Prishtinës”, thotë Ramadani. 

Nuk u ndal me kaq, edhe pas luftës ka dhënë kontribut të madh. 

“Edhe gjatë sezonit 1997/98 ne e ruajtëm boshtin e ekipit, filluam kampionatin. Po në vitin 1998 u ndërpre kampionati për shkaqe që i dijmë krejt ne. Pas luftës ne e filluam kampionatin si kampion në fuqi dhe unë luajta deri në vitin 2002.

Pas këtij viti mbeta në klub si donator dhe anëtar i kryesisë, ku edhe ne si gjithë klubet bëmë përforcime me lojtar cilësor e në vitin 2006 u bëra edhe kryetar i klubit. Me përfundimin e kampionatit 2005/2006 u tërhoqa nga klubi”, përfundon Ramadani. Ish basketbollisti ndihet krenar që i takoi asaj periudhe, gjeneratës së sakrificës dhe që i bën rezistencë regjimit serb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat