“Plisat”: Bëhuni si Edo!

Basketboll

“Plisat”: Bëhuni si Edo!

Nga: K.G. Më: 18 qershor 2021 Në ora: 22:19
“Plisat”: Bëhuni si Edo!

Edmond Azemi ka lënë gjurmë në basketbollin prishtinas dhe të Kosovës.

Ai dje i dha lamtumirë lojës aktive. Për Azemin ishte një emocion i veçantë sepse nuk e kishte të lehtë t’i thotë lamtumirë lojës në parket. 

Azemi ka fituar shumë tituj me klubin e Sigal Prishtina dhe gjithmonë do të mbetet në zemrat e tifozëve “Plisat”.

“I kemi pothuajse 30 vite aktivitet si grup, e mbi X vite aktivitet në rrjete sociale dhe lirisht mund të themi se të pakta janë ngjarjet për të cilat i drejtohemi opinionit me kaq shumë emocione. 

Sot po pensionohet Edo! Me këtë fjali do të duhej të kuptoheshin të gjitha emocionet tona dhe arsyeja prapa tyre. 

Edo është ai sportisti perfekt, që do ta dëshironte secili klub, i secilës disciplinë sportive, e mbi të gjitha - do t'a adhuronin tribunat! 

Në kohët kur i fitonim të gjithë titujt, e lojtarë të ndryshëm nga Kosova e nga e gjithë bota - korrnin lavdinë, në kohën kur ishim në kriza e lojtarët nga Kosova e nga e gjithë bota e braktisnin klubin, në kohët kur ne ishim duke dhënë gjithçka nga vetja nëpër tribuna e rrugë të Prishtinës e qyteteve tjera - ishte vetëm edhe një tjetër që e bënte të njëjtën vetëm se në fushë të lojës - EDO! 

Fjalët janë të pakta për të folur gjuhën e zemrës, mirëpo një gjë është lehtë e tregueshme, Edo është legjenda jonë dhe legjendat nuk pensionohen. 

Të rinjëve të Prishtinës po u japim një këshillë: Bëhuni si Edo! Besnik ndaj qytetit e të përkushtuar drejt suksesit. 
Edo, njerëzit si ti e bëjnë Prishtinën. Njerëzit si ti i nderojnë Plisat! Të duam!”, shkruan në faqen e “Plisave”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat