Një tjetër hap të madh drejt finales

Basketboll

Një tjetër hap të madh drejt finales

Më: 23 qershor 2021 Në ora: 11:04
Një tjetër hap të madh drejt finales

Phoenix Suns bëjnë një tjetër hap të madh drejt finales së madhe të NBA.

Skuadra nga Arizona mposhti me rezultat të ngushtë 104-103 Los Angeles Clippers dhe tashmë kryeson serinë me rezultatin 2-0.

Gjithçka u vendos në një aksion, në atë të fundit, para se të binte sirena për përfundimin e takimit. Kalifornianët ishin në epërsi të vetëm një pike, 103-102, shumë pranë barazimit të serisë. Topi ishte në duart e Jae Crowder, kur kishte mbetur më pak se një sekondë lojë.

30-vjeçari e hedh topin drejt koshit, ku Deandre Ayton fluturon mbi rivalët, duke e zhytur brenda.

U desh të kalonte një minutë që gjyqtarët e takimit të vendosnin që koshi ishte i rregullt, me fitoren që kalon nga Clippers te Suns. Kalifornianët e kanë të vështirë ta besojnë atë që ndodhi, pasi menduan se suksesi nuk mund t’u ikte nga duart.

26 pikë realizoi Paul George, por mbi koshiencën e tij rëndojnë dy gjuajtje të lira të humbura 8 sekonda para rënies së sirenës.

Clippers për herë të tretë në këtë sezon pësojnë humbje në dy përballet e para në play off dhe janë të detyruar të mos gabojnë në sfidat e radhës. Për Suns ishte një fitore thelbësore në një takim ku të zotët e shtëpisë qëndruan thuajse gjatë gjithë kohës në kryesim.

Më i miri mbi parket për skuadrën nga Arizona rezultoi Cameron Payne me 29 pikë dhe 9 asiste, ndërsa Deandre Ayrton përveçse realizoi koshin fitues, ishte kampion i “reboundeve”, me plot 14 të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat