Ju lumtë vashave të Kosovës - ndeshja e parë, fitorja e parë evropiane 

Basketboll

Ju lumtë vashave të Kosovës - ndeshja e parë, fitorja e parë evropiane 

Nga: Kemajl Goca Më: 20 korrik 2021 Në ora: 21:00
Ju lumtë vashave të Kosovës - ndeshja e parë, fitorja e parë evropiane 

Fitore me shije evropiane! Fitore e shumëpritur e vashave Dardane në Kampionatin Evropian për shtete të vogla. 
Vashat tona debutuan në mënyrën më të mirë në Grupin B.

Gjithmonë do të shkruhet në historinë e basketbollit femëror të Kosovës, ndeshja e parë, fitorja e parë evropiane.
Një fitore domethënëse, që e lartëson edhe shtetin e Kosovës.

Vashat tona treguan angazhim të madh dhe vetëbesim deri në sekondat e fundit.  

Fitorja është edhe më e ëmbël, për faktin se është arritur në Nikosia të Qipros, duke e mposhtur nikoqiren me rezultat 70:68.

Puna, angazhimi dhe mundi u shpaguan në sfidën e parë evropiane.

Një segment i rëndësishëm, padyshim ishte shpirti luftarak i këtyre vashave, të cilat luftuan deri në sekondën e fundit, edhe kur ishin në disavantazh me 6 pikë (58:52), besuan se do të përmbysin epërsinë e rivales.

Këtë edhe e arritën, duke iu falënderuar qetësisë dhe treshes së amerikanes Alexis Tolefree, që shtangu Qipron, kur më së paku pritej. Kjo është bukuria e kësaj loje. 

E para, vashat tona treguan disiplinë në lojë dhe në momentet vendimtare ruajtën qetësinë, që iu shpërblye me fitore.

E dyta, kapitenja Arbnore Perçuku me basketbolliste tjera, sot dëshmuan lojë vetëmohuese ndaj një rivales, që e kishte edhe përparësinë e terrenit.

E treta, kjo fitore shënon edhe një epokë të re të basketbollit tonë femëror.

E katërta, gëzimi i vashave tona për fitoren e madhe, dëshmonte dashurinë që e kanë për fanellën e Kombëtares dhe shtetin e Kosovës. Lotët e gëzimit!  

E pesta, puna dhe angazhimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës, me kushte që iu krijuan këtyre vashave për gjatë fazës përgatitore, rezultoj me sukses.  

Krejt në fund, ju lumtë vashave të Kosovës - ndeshja e parë, fitorja e parë evropiane. Data 20 korrik, viti 2021, gjithmonë do të hapet me fitoren e parë, kjo ka shumë rëndësi. Fitore evropiane!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat