FBK inkurajon klubet dhe shkollat e basketbollit

Basketboll

FBK inkurajon klubet dhe shkollat e basketbollit

Më: 15 shtator 2021 Në ora: 14:11
FBK inkurajon klubet dhe shkollat e basketbollit

FBK inkurajon klubet dhe shkollat e basketbollit t’i paraqesin ekipet e vajzave për të garuar në Ligat U12, U14 dhe U16

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) inkurajon të gjitha klubet dhe shkollat e basketbollit në vendin tonë, që nuk i kanë paraqitur deri më tani ekipet e vajzave të gjeneratave të reja për të garuar në Ligat U12, U14 dhe U16, ta bëjnë një gjë tillë.

Federata e Basketbollit e Kosovës në kuadër të programit për masivizim të basketbollit ndër vajzat e reja – FIBA Europe Girls Program dhe kampanjës “Her World, Her Rules” (Bota e Saj, Rregullat e Saj) do të marrë përsipër shpenzimet e personave zyrtarë për ekipet e kategorive të lartpërmendura, blerjen e fanellave për ndeshje, si dhe do të ndajë topa në kuadër të kampanjës “Her World, Her Rules” për klubet që paraqiten për të garuar në ligat U12, U14, U16.

Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, tha: “Federata e Basketbollit e Kosovës në kuadër të Planit Strategjik 2021-2025 e ka si objektiv të veçantë “Femrat në Basketboll”, pra zhvillimin dhe avancimin e basketbollit të vajzave dhe grave si në fushën e lojës, ashtu edhe jashtë saj.

Megjithatë për ta realizuar këtë objektiv, ne kemi nevojë për klubet tona, si dhe për mbështetjen nga Komunat përkatëse prej nga vijnë këto klube, por edhe nga donatorë/sponsorë, si dhe grupe të tjera të interesit të FBK-së që kanë mundësi të ndihmojnë vajzat/gratë për tu marrë me basketboll.

Ne gjithashtu kemi nevojë edhe për përkrahjen nga prindërit, në mënyrë që ata t’i inkurajojnë sa më shumë vajzat për tu marrë me sport, në këtë rast me basketboll, por edhe prindërit të kërkojnë nga klubet që krahas stërvitjeve, të marrin pjesë edhe në gara me vajza.

Federata e Basketbollit e Kosovës tash e sa vite i mbështet në forma të ndryshme ekipet e femrave dhe do të vazhdoj ta bëjë një gjë të tillë, por ne tani kemi arritur në një fazë, ku kemi nevojë për pjesëmarrje sa më të madhe të vajzave dhe grave në basketboll, sepse vetëm kështu mund ta rrisim cilësinë, si dhe të avancojmë vajzat e gratë në sport.

Edhe një herë ne i bëjmë thirrje publike klubeve dhe shkollave të basketbollit, që në radhët e tyre kanë vajza që ushtrojnë basketboll, t’i paraqesin klubet për të marrë pjesë në garat e organizuara nga FBK.

Federata e Basketbollit e Kosovës është në shërbim të të gjitha klubeve anëtare të saj, andaj përkrahja nga ne nuk do të mungojë asnjëherë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat